Vrau dy persona në Zvicër, kjo e pret kosovarin pas përfundimit të burgut

10:58 | 18 Qershor 2019

Me vendimin e dhënë të hënën, Gjykata Administrative e Kantonit të Bernit ka vendosur që një kosovar 58-vjeç, pasi të mbarojë vuajtjen e dënimit, duhet të largohet nga Zvicra.

Fjala është për personin e dënuar për vrasje të dyfishtë të kryer në vitin 2008 në qytetin Wil të Kantonit St. Gallen, i cili po mbahet në burgun penal në St.Gallen.

Ai, në një zënkë në mes të dy familjeve kosovare kishte vrarë në mes të rrugës dhe në mënyrë gjakftohtë një baba dhe të birin e tij 18-vjeçar.

Siç shihet në vendimin e Gjykatës,  58-vjeçari, në vitin 2020, pas vuajtjes së dy të tretave të dënimit, mund të lirohet me kusht nga burgu.

Ai, gjatë qëndrimit në burg – ishte i dënuar me 18 vjet heqje lirie – ka mbaruar me sukses një psikoterapi të dedikuar për krime.

Por megjithatë, sipas pikëpamjes së gjyqtarëve të Bernit, një prognozë e besueshme në këtë drejtim nuk duket e mundur, pasi “sjellja e mirë” e një të burgosuri në hapësirat e ngushta të burgut nuk nënkupton sjelljen e tij të mundshme në kushte të lirisë.

Në ankesën e tij në Gjykatën Administrative, kosovari kishte deklaruar se në rast kthimi në Kosovë, atë e kërcënonte gjakmarrja që do të ushtrohej nga familjarët e personave që i kishte vrarë.

Sipas qëndrimit të gjykatës, ndonëse gjakmarrja në Kosovë vazhdon të jetë e pranishme, kthimi i personit në fjalë në Kosovë, marrë në përgjithësi, nuk është i paarsyeshëm.

Veç kësaj, komentet e prezantuara të tij nga interneti, të regjistruara në vitin 2009 nuk përbëjnë dëshmi konkrete për një rrezik të mëtejshëm për gjakmarrje. Gjykata supozon se situata ndërkohë është qetësuar, transmeton albinfo.ch.

Por, edhe nëse do të kishte shenja për rrezikim të tij, gjyqtarët do të këmbëngulnin në heqjen e lejes së qëndrimit të përhershëm në Zvicër (Viza C) të kosovarit. Kjo për faktin se as në Zvicër nuk mund të përjashtohet rreziku që ndonjë person  të vinte ilegalisht nga Kosova me qëllime gjakmarrjeje. Dhe përfundimisht, sipas gjykatës, kosovari rrezikun nga hakmarrja duhet t`ia referojë sjelljes së tij personale, tranmseton albinfo.ch.

“Kur dikush e vret personin  tjetër me qëllim, nuk duhet që rrezikun për gjakmarrje që e kërcënon atë ta përdorë si argument për të drejtën e qëndrimit të përhershëm të tij në Zvicër”, argumentojnë gjyqtarët e Bernit.