Vrasjet në kazino: Nesër mblidhet Kryesia dhe mbahet seancë e jashtëzakonshme

Tri vrasje ndodhën brenda pak ditësh në Kosovë. Dy nga to u kryen në kazino, teksa të vdekur mbetën punonjësit.

Lajme

21/03/2019 16:52

Sot në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës është dërguar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme, ku është kërkuar mbyllja e kazinove, raporton lajmi.net.

Sipas një njoftimi për media nga Kuvendi thuhet se “Të premten, më 22. 03. 2019, do të mblidhet Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për të shqyrtuar kërkesën e 49 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme.”

Sipas njoftimit, deputetët nënshkrues kanë kërkuar që Kuvendi të miratojë rezolutë lidhur me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit, si dhe plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues.

Pas mbledhjes së Kryesisë, në orën 11:00, Kuvendi pritet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar lidhur me kërkesën e deputetëve nënshkrues.

Tri vrasje ndodhën brenda pak ditësh në Kosovë. Dy nga to u kryen në kazino, teksa të vdekur mbetën punonjësit.

Rasti i fundit ndodhi mbrëmë në Lipjan ku një i ri pësoi nga arma e zjarrit që dyshohet se u shkrep nga grabitësit.

Kjo ka bërë që shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës t’i shpallë të jashtëligjshme të gjitha kazinotë dhe lojërat e fatit. /Lajmi.net/