Vrasje nga profesionistë

Sipas “Blic”, të dhënat e para operative për vrasjen e pjesëtarit të EULEX’it Audrius Senavicius të enjten në afërsi të Zveçanit tregojnë se fjala është për vrasës profesionistë.

Lajme

21/09/2013 11:08

Edhe shqiptarët banojnë në atë pjesë.

Në këtë mënyrë, e përditshmja serbe “Blic” u sugjeron hetuesve të EULEX’it që të shikojnë edhe kah shqiptarët në ndjekje të kryesve të sulmit i cili la të vdekur një pjesëtar të EULEX’it në veri të Kosovës.

Sipas “Blic”, të dhënat e para operative për vrasjen e pjesëtarit të EULEX’it Audrius Senavicius të enjten në afërsi të Zveçanit tregojnë se fjala është për vrasës profesionstë. Siç merr vesh “Blic”, hetuesit kanë përdorur edhe qentë në kërkim të gjurmëve të vrasësve dhe këto gjurmë kanë çuar në fshatrat e banuara me serbë, megjithatë “askush nuk e ka përjashtuar mundësinë që vrasësit të mund të jenë shqiptarë”.

Senavicius është goditur me armë zjarri në kokë dhe në bark dhe ka vdekur në spitalin e Mitrovicës si pasojë e plagëve të marra, kurse janë plagosur edhe tre zyrtarë të tjerë.

Të premten askush prej të përfshirëve në hetim nuk ka dashur të flasë zyrtarisht rreth motiveve të sulmit ndaj EULEX’it, që ndodhi te kthesa për Manastirin e Banjskës (vendi i quajtur Ballaban), ku gazeta beogradase përkujton se “ka edhe fshatra të banuara me shqiptarë” dhe se ky vend gjendet në bjeshkët e Bajgorës, i njohur si vend për trajnimin e pjesëtarëve të UÇK’së. Por EULEX nuk ka dashur ta komentojë as jozyrtarisht përkatësinë e mundshme etnike të kryesve të vrasjes.

“Blic” shkruan se dyshimi që vrasësit kanë qenë profesionistë vie për shkak se ata kanë shtënë në veturën në të cilën kanë qenë pjesëtarët e EULEX’it, e jo në veturën tjetër që po kalonte atypari ku gjendeshin pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Mes arsyeve për sulm ndaj EULEX’it ka disa versione, kurse i pari është se ka pasur për qëllim destabilizimin e veriut para zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit. Gjatë të premtes është bërë presion mbi të gjitha strukturat në veri dhe në Prishtinë për të hedhur dritë mbi këtë krim, ndërsa gjatë ditës është mbajtur edhe një takim mes përfaqësuesve të shteteve të Quint’it dhe shërbimeve të sigurisë në Kosovë.