Vrasje apo vetëvrasje për drogën në Shëngjergj? Mjekët ligjorë përplasen me Policinë

Autopsia e mjekësisë ligjore “përplaset” me versionin e Policisë Shkencore në lidhje me ngjarjen e ndodhur me shtetasin Besnik Pudja, i cili u gjet me një plumb në kokë në Shëngjergj të Tiranës, raporton “Panorama”.

Lajme

09/12/2016 07:47

I riu, i cili humbi jetën nga goditja me armë në një kapanon të përshtatur për tharjen e kanabisit në fshatin Kollagjesh të Shëngjergjit, ende nuk dihet nëse ka vrarë veten apo e kanë vrarë. Kjo për arsye të dyshimeve paraprake të bazuara në këqyrjen e trupit, se hyrja e plumbit ka qenë pas veshit të majtë dhe dalja ka qenë në pjesën e përparme të kokës.

Një pozicion plage ky, sipas ekspertëve, jo fort i zakontë për rastet e vetëvrasjeve. Bazuar në kontradiktat e para të ngjarjes, Prokuroria e Tiranës e regjistroi dosjen në hetim për akuzën e “vrasjes” dhe kërkoi një ekzaminim të hollësishëm mjekoligjor në lidhje me viktimën. Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), i cili ka përfunduar dhe është administruar në dosjen e Prokurorisë, sipas hetuesve, lë në fuqi dyshimet për një vrasje, por pa përjashtuar as vetëvrasjen.

Duke qenë se raporti i Mjekësisë Ligjore nuk ka “vulosur” një version për ngjarjen, Prokuroria pati dërguar për ekzaminime kriminale në Policinë Shkencore edhe rrobat e viktimës, pistoletën e gjetur pranë kufomës dhe mostrat e faktorëve plotësues të gjetur në duart e të riut.

Policia Shkencore mësohet se ka përfunduar ekzaminimin e këtyre materialeve e provave, duke i dhënë prioritet versionit të vetëvrasjes, për faktin se viktima ka pasur faktorë plotësues të barutit në duar, çka do të thotë se ka kryer qitje me armë.

HETIMET SHTESË

Duke qenë se provat e administruara deri tani në dosje kanë kundërthënie, Prokuroria ka vendosur të kryejë hetime shtesë. Për këtë arsye, mësohet se janë kërkuar analiza biologjike të gjakut dhe urinës së viktimës, shtetasit Besnik Pudja. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes, persona të dyshuar për kultivim e përpunim kanabisi, kanë pretenduar se ai kishte pirë para ngjarjes dhe më pas kishte kryer vetëvrasje. Mirëpo në hetim është edhe vrasja për konflikte në lidhje me aktivitetin e kultivimit të kanabisit.

NGJARJA NË SHËNGJERGJ

Policia e Shtetit ka informuar me komunikatën zyrtare se më datë 7 tetor 2016, rreth orës 15:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur fshati Kollagjesh, shtetasi Besnik Petrit Pudja, banorë Shkozë-Tiranë, ishte gjetur i vrarë, brenda një kasolle të improvizuar.

Policia ka thënë se ka shkuar në vendin ku bëhej fjalë dhe është konstatuar se në një kasolle me përmasa 40 x 18 metra, të rrethuar me llamarina, me derë, e pikërisht në ambientin e brendshëm të kësaj kasolleje, në mesin e saj, gjendej i shtrirë trupi i shtetasit Besnik Pudja (njohur nga familjarët).

Nga ana tjetër, Prokuroria ka thënë se trupi ishte i shtrirë me kurriz, me fytyrë lart, i gjakosur në pjesën e syrit të anës së majtë dhe në pjesën e kokës të anës së djathtë.

“Në pjesën e brendshme të këmbës së anës të majtë, në afërsi të gjurit, gjendej një armë zjarri, model 56, kalibri 7.62 mm, me goditës të ngrehur, me krehër brenda saj e brenda krehrit kishte një fishek me kapsollë të goditur. Në këtë kasolle ndihej aroma e bimës narkotike si ajo e kanabis sativa dhe ambienti ishte i përshtatur për tharje të kësaj bime”, ka thënë Policia.