Vrasja në restorantin ‘Shega’: Policia s’arrin t’i sjellë dëshmitarët okularë në gjykatë

Tre dëshmitarë okularë të vrasjeve në Restorantin “Shega” policia nuk po arrin t’i sjellë në gjykatë.

Lajme

27/09/2017 19:20

 

Mosprania e dëshmitarëve okularë dhe kërkesat për posedimin e dokumentacioneve po zvarritin gjykimin për vrasjen në restorantin “Shega”.

Tre dëshmitarët okularë Adem Dautaj, Abedin Sahiti dhe Musa Ferati, po kërkohen me ngulm që të vijnë në gjyq për të dhënë dëshminë për natën kritike kur ndodhën dy vrasje në restorantin “Shega”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismajli, ndonëse Policia e Kosovës ka urdhëresë për sjelljen e tyre, nuk ka mundur të verifikojnë lokacionin e të njëjtëve.

Bëhet e ditur se Musa Ferati, që në atë kohë ishte punëtor në restorantin “Shega” gjendet në Suedi, derisa dy dëshmitarët tjerë Sahiti e Dautaj gjenden në Shqipëri.

“Nuk është e mjaftueshme me thënë nuk e di ku janë, të bëhet përmes bashkëpunimit ndërkombëtar juridik dhe besoj se me insistim serioz të organeve kompetente kaherë ata dëshmitarë do të ishin këtu”, tha avokati mbrojtës i Besim Istrefit, Ali Beka.

Praninë e këtyre dëshmitarëve e quajti të nevojshme në çdo aspekt edhe avokati i Besart Istrefit, Haxhi Millaku, i cili tha se dëshmia e tyre do të japë fakte dhe prova të natyrës vendimtare.

“Nuk mjafton vetëm një përgjigje e shkurtër se ai nuk është këtu, nuk i dihet adresa, nuk është në Suedi, pasi që këto janë përgjigjet që zakonisht i marrim nga policia”, tha Millaku.

Pas këshillimit, trupi gjykues mori vendim që të provohet edhe njëherë përmes Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, i cili është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, të sigurohen këta dy dëshmitarë, si dhe për dëshmitarin e tretë, Musa Feratin, fillimisht të vërtetohet adresa e saktë në Suedi.

Përveç kësaj kërkese, avokati Millaku pati edhe një shqetësim tjetër lidhur me klientin e tij.

Sipas Millakut, esperti mjeko-ligjor Flamur Blakaj në ekspertizën e tij në raport me Besart Istrefin, ka konstatuar se të njëjtit i është bërë një intervenim kirurgjik prej 10 centimetrash në regjionin e barkut më 3 maj 2014 në QKUK në Prishtinë, disa orë pas ngjarjes kritike, derisa Millaku tha se ky dokumentacion mjekësor nuk është në dosje.

“Nuk dua të paragjykoj se çfarë intervenimi është bërë, edhe pse në procesverbal thuhet se është nxjerrë një predhë, raportet mjekësore do ta vërtetojnë atë”, shtoi avokati.

Kërkesa e tij ishte që të lëshohet një urdhëresë e cila do t’i siguronte gjykatës këtë dokumentacion mjekësor lidhur intervenimin në fjalë, në mënyrë që “të dihet se sa ka zgjatë dhe a është nxjerrë diçka”, tha Millaku.

Kërkesa e radhës e avokatit Millaku, kishte të bënte me foto- dokumentacionin nga foreznika të vendit të ngjarjes në natën kritike, dokumentacion ky i cili sipas tij ndodhet në stacionin policor të Obiliqit, pasi që të njëjtit kishin arritur të parët në vendin e ngjarjes.

“Dyshohet se këto nuk janë as në dosjen e prokurorisë”, shtoi Millaku.

Ai kërkoi që edhe ky foto- dokumentacion t’i sigurohet gjykatës.

Në fund të seancës, avokati mbrojtës i Jeton Saraçit, Mentor Neziri, kërkoi që Saraçit t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me ndonjë masë alternative, me arsyetimin se “nuk ka dyshime se i njëjti ka kryer veprat penale duke pasur për bazë të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, e sidomos raportet nga ekspertiza balistike”.

Pas këshillimit, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, aprovoi kërkesën e Nezirit, ku nga sot Saraçi do të mbrohet në arrest shtëpiak.

Pas këtij lajmi familjarët e të akuzuarit filluan të duartrokisnin, përderisa familjarët e të ndjerit Lutfi Saraçi nuk u dukën aspak të kënaqur.

Kërkesë për heqjen e masës së paraburgimit pati edhe avokati i Besart Istrefit, Haxhi Millaku, i cili tha se heqja e masës së paraburgimit të klientit të tij do të ishte konform ligjit, duke marrë për bazë se Istrefi gjendet në paraburgim tash e tre vjet, por kjo kërkesë iu refuzua.

Insistimi i mbrojtjes për sjelljen e dëshmitarëve okularë bëri që seanca e radhës të shtyhet për një afat të pacaktuar.

Në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit më 2 maj 2014 pas një mosmarrëveshje të çastit ishin vrarë Naim Gërvalla e Lutfi Saraçi, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë tash të akuzuarit Besim e Besart Istrefi, pronari i këtij lokali dhe djali i tij.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 10.03.2015 ka ngritur aktakuzë ndaj Besim e Besart Istrefit për vrasje të rëndë.

Besart Istrefin prokuroria e ngarkon edhe me veprën penale armëmbajtje pa leje.

Në këtë proces i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve është edhe Jeton Saraçi.

Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur më 2 maj të vitit 2014 në restorantin “Shega”, ku pasi kamerierët kishin filluar përgatitjet për mbylljen e restorantit, i akuzuari Jeton Saraçi, i ulur në tavolinë me Adem Dautajn dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi e Nazim Gërvalla, ka filluar me kërcënime e tone të larta ndaj kamerierëve.

Më tej, aktakuza thotë se më pas kishte filluar konflikti në mes tyre dhe pronarëve Besim e Besart Istrefi nga i cili ishin shkaktuar vrasjet dhe plagosja. /kallxo.com