Vrasja në kazino: Jetmir Aliaj identifikoi policin plaçkitës para se ai ta qëllonte

Një grup plaçkitësish ia kishin mësyrë të dielën në mëngjes një kazinoje në Suharekë. Plani për plaçkitje, si duket nuk kishte shkuar siç e kishin menduar hajnat.

Lajme

17/03/2019 17:47

32 vjeçari Jetmir Aliaj, punonjës i një kazinoje në Suharekë, mbeti i vrarë me armë zjarri sot në mëngjes.

Ngjarja ndodhi në vendin e tij të punës, derisa një grup personash kishte hyrë brenda për të kryer plaçkitje.

Plumbat në trupin e tij po dyshohet se i zbrazi një rreshter policor, që tashmë është arrestuar nga Policia.

Zyrtari policor në fjalë nuk ishte aty për ta mbrojtur Jetmirin nga plaçkitësit, shkruan Reporteri.net.

Përkundrazi Shefki Spahiu, po dyshohet se ishte njëri prej tyre që tentuan të kryejnë vjedhjen që përfundoi me fatalitet.

Reporteri.net ka mësuar përmes burimeve, se informacionet e para që ka hetuesia në Prizren, në lidhje me këtë rast, tregojnë se viktima ishte qëlluar për vdekje nga i dyshuari pasi kishte arritur ta identifikonte atë, derisa me tre persona tjerë po kryente plaçkitjen brenda kazinosë.

Por, kjo nuk del të jetë hera e parë që rreshteri policor Shefki Spahiu dyshohet për vepra penale. I njëjti, sipas burimeve të Reporteri.net, edhe kohë më parë ishte përballur me dyshime për një rast dhunimi. Ai për këtë ishte suspenduar nga Policia e Kosovës, por që më pas ishte kthyer në vendin e tij të punës.

Se një zyrtar policorë është i dyshuar për vrasjen në Suharekë ka bërë të ditur vetë Policia e Kosovës, të dielën përmes një konferencë.

“Në bazë të provave materiale, viktima është J. A. nga fshati Mushtisht. Kemi ardhë në përfundim se i dyshuari i vetëm është një zyrtar policor, rreshter në veri të Prizrenit me iniciale SH.S. Policia ka bërë kontrollin në shtëpinë e tij dhe më pas është arrestuar”, u tha nga Policia, gjatë konferencës që u mbajt në Prishtinë.

Tutje, ata kanë njoftuar se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, derisa do të dalë para gjykatës e cila pritet t’i caktojë masën e sigurisë.

I riu Jetmir Aliaj është viktima e dytë e vrarë të dielën në Suharekë. Në një fshat të kësaj qyteze, të njëjtën ditë, ka ndodhur edhe një tjetër vrasje për motive krejt të ndryshme. Një 64 vjeçar dyshohet se u qëllua për vdekje nga vëllai i tij 72 vjeç, për shkak të një kontesti pronësor.