Vrasja e trefishtë në Prizren, edhe për fajin e organeve të drejtësisë

Drejtori i Policisë Rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi ka akuzuar sërish organet e drejtësisë kanë lënë të lirë personat me vepra penale. Ai ka thënë se tre të vrarit e të dielës në këtë qytet kanë qenë recidivistë të veprave penale.

Lajme

10/03/2015 16:13

“Nuk jam i kënaqur me organet e drejtësisë në trajtimin e këtyre rasteve”, është shprehur Krasniqi.

Rasti i vrasjes së trefishtë që ndodhi në qytetin e Prizrenit, ende është i pandriçuar.

Dorasit janë ende në arrati, ndërsa policia ka vënë në aksion të gjithë kontingjentin e oficerëve policorë. Dyshohet se autorët e vrasjes janë familjarë, njëri 48 e tjetri 23 vjeç, njofton Prizrenipress.

Edhe tre personat e vrarë, janë të njohur për policinë dhe prokurorinë, për shkak të të kaluarës së tyre të dyshimtë.

Të njohur dalin këta persona edhe në prokurorinë themelorë të Prizrenit. Ushtruesi i detyrë së kryeprokurorit në Prizren, Metush Biraj, thotë ndërkaq se procedimet për paraburgim janë masat e fundit që merren për sigurimin e të pandehurit në procedurë.

Jo rrallë rastet e rënda të vrasjeve, rrëmbimeve etj., i bëjnë personat recidivistë, por Kryetari i Gjykatës, Ymer Hoxha thotë se trupi gjykues shpesh ka mungesë të informacionit për raste të tilla.

Sipas zyrtarëve të policisë, për Ferdi Shishkon rëndojnë mbi 15 raste të rënda të precedencës penale, Haki Thaqi kishte gjashtë raste të rënda dhe Belgin Ersoj njëmbëdhjetë raste të rënda penale.

“Edhe të dyshuarit për vrasjet e djeshme kanë të kaluar kriminale jashtë vendit. Nëse ata provohet se e kanë kryer këtë rast, dënimi i tyre në bazë të ligjit në fuqi duhet të jetë maksimal”, thotë u.d. i kryeprokurorit, Metush Biraj.