Vrasja e të riut nga zyrtari policor në Suharekë, IPK fajësohet për neglizhencë

Dy vrasje brenda një dite tronditën dje Kosovën.

Lajme

18/03/2019 23:05

Të dyja këto krime ndodhën në qytezën e Suharekës, teksa për njërën prej tyre është arrestuar një zyrtar policor si i dyshuar për kryerjen e saj, shkruan lajmi.net.

SH.S, nga hetimet e para dyshohet se nga ora 3:00 e mëngjesit deri në orën 05:00 qëndroi në kazinon ku më vonë do të kryente vrasjen e punëtorit, J.A.

Lajmi.net më herëtë gjatë ditës ka raportuar në lidhje me këtë zyrtar policor, dhe faktin se i njëjti më parë dyshohej për keqpërdorim seksual të së miturës.

Lexo edhe:

Ekskluzive: Rreshteri që vrau të riun në Suharekë, i akuzuar edhe për keqpërdorim seksual me të mitur

Në bazë të asaj se çka është bërë e ditur nga IPK-ja , ndaj të njëjtit ishte ngritur aktakuzë, mirëpo se më vonë ai ishte shpallur i pafajshëm.

E pikërisht Inspektorati Policor i Kosovës po kritikohet për neglizhencë në raste të tilla.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, për lajmi.net thotë se Inspektorati Policor i Kosovës do të duhej të ndërmerrte veprime edhe pas verdiktit të gjykatës.

Siç thotë ai, IPK-ja është treguar neglizhente në këtë rast.

“Inspektorati policor duhet që edhe pas përfundimit të procesit gjyqësor të përcjellë rastin edhe në procedurën disiplinore, në kuptimin e asaj që ai person të mbikëqyret lidhur me aktakuzën. Edhe pas përfundimit të procesit gjyqësor kjo nënkupton që duhet të pushohen të gjitha procedurat”, ka thënë Ibishi.

“Pra edhe pas përfundimit të rastit në Gjykatë IPJ- janë të detyruar të raportojnë për sjelljen e atij personi. Kjo është një fatkeqësi që ka përfunduar me vrasjen e një të riu në vendin e punës. IPK-ja vazhdon të jetë neglizhent ndaj mandatit të mbikëqyrjes së zyrtarëve policor”, shton Ibishi.

Ai po ashtu vlerëson se Policia e Kosovës si dhe institucionet tjera duhet të ndërmarrin veprime në lidhje me këto dy vrasje, për të cilat ai thotë se janë shqetësuese si dukuri për situatën e sigurisë në vend.

Megjithatë, sipas Ibishit, për këtë nuk mund të fajësohet vetëm IPK-ja, por se gishti duhet të drejtohet edhe kah menaxhmenti policor, të cilët nuk mirren më intensivisht me raste të tilla.

E rasti tjetër i vrasjes që tronditi vendin dje ndodhi në Studençan të Suharekës.

Aty dyshohet se viktima u qëllua për vdekje nga vëllau i tij, pas një konflikti për çështje pronësore.

Vetëm për një javë, në Kosovë kanë ndodhur tri vrasje.

Rasti tjetër ishte ai në Marmull të Gjakovës. Edhe ky krim dyshohet se ndodhi për konflikte pronësore. /Lajmi.net/