Vrasja e Santos, vëllezërit Gjoza duket se s’kanë lidhje me rastin

Vëllezërit Saimir e Klodian Gjoza nga Fushë Kruja u arrestuan si të dyshuar për vrasjen e biznesmenit tiranas Artan Santo pasi te ta u gjet një motor i ngjashëm me atë që u përdor në kryerjen e krimit. Por, hetimet kanë nxjerrë rezultate se motori i gjetur te ta ka dallime me atë që përdorën vrasësit. 

Lajme

14/07/2014 17:00

Nesër Gjykata e Tiranës do të ndryshojë masën e sigurisë për kushërinjtë Saimir e Klodian Gjoza, të arrestuar nën dyshimin se kanë lidhje me vrasjen e bankierit Artan Santo, duke qenë se Prokuroria do të kërkojë për ta “detyrim paraqitje”, njofton Ora News.

Burime nga organi i akuzës së kryeqytetit bëjnë me dije se është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë për kushërinjtë, pasi në datën 30 qershor kjo gjykatë vendosi t’i lërë në burg për 15 ditë. Ende nuk është sqaruar nga raporti i policisë shkencore nëse shenjat e barutit gjetur në duart e Gjozëve janë të lëna nga armë apo nga puna që ata kryejnë në një servis makinash.

Saimir dhe Klodian Gjoza u arrestuan në zonën e Fushë-Krujës pas vrasjes së Artan Santos, pasi në servisin ku punonin u gjet një motor i ngjashëm me atë që u përdor në atentat. Por, pas ekazaminimeve të ekspertëve u pa që dy motorat kishin ndryshime, ndërsa hetimet e tjera përforcojnë mungesën e lidhjes së tyre me ngjarjen.