Vrasja e rëndë në Suharekë për një borxh prej 20 euro, prokuroria dorëzon në gjykatë disa CD

Prokuroria ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prizren një pako ku kanë qënë disa CD lidhur me ngjarjen kritike të vrasjes së rëndë në Maqitevë ku po akuzohet Sylejman Ahmeti.

Lajme

01/12/2021 17:17

Në seancën e sotme, kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha ka njoftuar mbrojtësin e të akuzuarit Sylejman Ahmeti, avokat Nazmi Mustafi që sot përmes parashtresës zyrtari ligjor nga ana e zyrës së Prokurorit ka sjellur një pako të datës 08.10.2020, në të cilëm kanë qënë:

Dy DVD me nr.1 dhe 2 ku shihet gjithë ngjarja se si ka ndodhur rasti, një DVD 1 incizim i orës 21.01.2016, ku i ndjeri Shaip Krasniqi vjen vetëm në lokal dhe DVD 1 dhe 2 incizim i orës 21.35.06, ku shihet çartë Sylejman Ahmeti me kamionetin e vet duke kaluar kah lokali, duke shkuar në shtëpinë e tij.

Po ashtu kryetarja e trupi gjykues Teuta Krusha njoftoi palët se posedon edhe 4 CD që janë shënjuar me 2,3, 4 dhe 6 të cilat janë incizime të telefonit të të ndjerit Shaip Krasniqi.

Prokurori i Shtetit, Metush Biraj në seancën e sotme deklaroi se mbetet pranë propozimit që të  dëgjohet dëshmitari Nderim Aliaj, pasi që ai ka qënë dëshmitar okular i ngjarjes e meqenëse i njëjti mungon sot, propozoi që seanca e sotme të shtyhet.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Sylejman Ahmeti propozoi që të dëgjohen disa dëshmitarë të tjerë si dhe të nxjerrën sms në mes të Nijazi Ahmetit dhe Shaip Krasniqit, propozime këto që janë refuzuar nga ana e trupit gjykues.

Pasi që s’kishte kushte për të vazhduar më tej në seancën e sotme, kryetarja e trupit gjykues mori vendim që seanca e sotme të ndërpritet dhe e njëjta është caktuar më 25 janar 2022, si dhe me 01 dhe 02 mars 2022.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngarkon Sylejman Ahmetin se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020 në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e Liman Aliut.

Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Sh.K vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi Limani e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, Agron Krasniqit dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit Sh.K, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, Sylejman Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.