Vrasja e dyfishtë në Vlorë, arrestohet i dyshuari

Policia shqiptare ka arrestuar të dyshuarin kryesor për vrasjen e dyfishtë në Vlorë.

Lajme

18/02/2019 11:19

Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e djeshme, policia ka arrestuar në flagrancë 43-vjeçarin Armando Sulejmani, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.

Po punohet për zbulimin dhe kapjen e autorëve. Për arsye hetimi nuk japim detaje të tjera.

Çfarë ndodhi dje?

Vlora u trondit ditën e djeshme nga një tjetër vrasje mafioze, ku mbetën të vdekur në vend dy të rinj dhe u plagos lehtë një i tretë.

Të ekzekutuarit janë Aurest Rexho dhe Arjan Hasani, ndërsa i plagosur mbeti shtetasi Armando Sulejmani, i cili dyshohet të jetë edhe objektivi i atentatit në zonën e Ujit të Ftohtë në hyrje të qytetit. Ky i fundit është arrestuar sot nga Policia e Vlorës, shkruan Gazeta Shqip.

Sulejmani nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2016 i ka shpëtuar një tjetër atentati. Ai njihet ndryshe dhe me nofkën “Çipuri” dhe dyshohet se ka qenë anëtar i bandës së Gaxhait.

Çipuri ishte në kërkim nga autoritetet e drejtësisë, pasi dyshohet si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur, në tetor 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur, dhe i afërmi i tij, Dritan Begaj.

Bëhet fjalë për një atentat që pason një zinxhir vrasjesh dhe pritash, që kanë përfshirë familjen Llanaj dhe një grup tjetër, të përbërë nga disa persona me rrezikshmëri të lartë, duke nisur që në vitin 2015.

Një zënkë adoleshentësh pas një feste ditëlindjeje përfundoi me atë që konsiderohet “masakra e Çoles”, me tre të vdekur e tre të dënuar me burgime të gjata, njëri me të përjetshëm dhe dy të tjerë me nga 35 vjet.

Në 7 prill 2015, pas një konflikti të armatosur, mbeten të vdekur Haki Rakipi, Alfred Velaj dhe Albi Limaj. Për këtë ngjarje u akuzuan dhe dënuan Aleksandër Llanaj, me burgim të përjetshëm, si edhe Bertil Aliaj e Ani Begaj me nga 35 vjet burgim.

Në tetor 2017, tre anëtarë të familjes Llanaj plagosen në zonën e Transballkanikes, pranë qendrës së Vlorës. Shënjestra ishte Ferdinand Llanaj, vëllai i të dënuarit përjetë, Aleksandër Llanaj. Bashkë me Ferdinandin, në këtë atentat plagoset edhe djali i tij 8-vjeçar, si edhe miku i familjes, Dritan Begaj.