Vrasja e 35 vjeçares shtatzënë, Prokuroria në Ferizaj arsyetohet se morën veprimet e nevojshme ndaj të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Ferizaj është deklaruar në lidhje me vrasjen e 35 vjeçares shtatzënë para objektit të Gjinekologjisë në QKUK. Nga Prokuroria Themelore është theksuar se 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vepër penale “Dhuna në familje” nga neni 248, paragrafi…

Lajme

01/12/2022 11:56

Prokuroria Themelore në Ferizaj është deklaruar në lidhje me vrasjen e 35 vjeçares shtatzënë para objektit të Gjinekologjisë në QKUK.

Nga Prokuroria Themelore është theksuar se 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vepër penale “Dhuna në familje” nga neni 248, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje u tha se prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me datë 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës.

“Ndërsa, një ditë më vonë, përkatësisht me datën 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprën penale Kanosja nga neni 181, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 77 të KPRK-së. Gjykata Themelore në Ferizaj, duke vepruar në bazë të kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj, me datë 13.09.2022, ka lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023”,thuhet tutje në reagimin e prokurorisë, transmeton lajmi.net.

Sipas Prokurorisë, ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e  urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bazë të autorizimeve të saj i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit lidhur më këtë çështje penale”./Lajmi.net/