Votoni më 1 dhjetor

Presidentja Jahjaga thërret serbët e Veriut që të dalin në zgjedhjet për balotazh. Thotë se dalja e serbëve të Veriut në zgjedhjet e 3 nëntorit dëshmon përcaktimin e tyre për ta ndërtuar një të ardhme të përbashkët në Republikën e Kosovës.

Lajme

26/11/2013 12:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka bërë thirrje serbëve të Veriut që të dalin para kutive të votimit më 1 dhjetor, ditën kur do të zhvillohen zgjedhjet për balotazh në disa Komuna të Kosovës.

Sipas saj, dalja e serbëve të Veriut në zgjedhjet e 3 nëntorit dëshmon edhe një herë përcaktimin e tyre për ta ndërtuar  një të ardhme të përbashkët  në Republikën e Kosovës drejt rrugës së integrimeve europiane.

Në një intervistë për agjencinë  serbe  “Beta”, Jahjaga ka thënë se Kosova ka arritur një stabilitet politik falë normalizimit të marrëdhënieve në mes qytetarëve të përkatësive të ndryshme nacionale.

Sipas saj, po punohet në ndërtimin e besimit midis qytetarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës.

Për Zgjedhjet e 3 nëntorit Jahjaga ka thënë se Kosova tregoi shkallë të lartë të demokracisë dhe pjekuri politike.

“Presim që edhe raundi i balotazhit të kalojë në nivel të njëjtë demokratik dhe të rregullt”.

“Incidente që kanë ndodhur në Veri nuk mund të prishin përshtypjen e mirë për zgjedhje të lira dhe demokratike”.

“Serbët janë qytetarë të Kosovës edhe në Veri edhe në Jug dhe me daljen në zgjedhje kanë dëshmuar se dëshirojnë të jetojnë dhe integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës”.

Presidentja Jahjaga ka thënë se Kosova tashmë është një realitet në Europë e njohur nga më shumë se 100 shtete.

Ajo gjithashtu ka thënë se e vetmja alternativë për zgjedhjen e kontesteve në mes Kosovës dhe Serbisë është dialogu.

“Ka përfunduar periudha e luftës dhe hegjemonisë dhe e vetmja rrugë që ka mbetur është rruga e dialogut”.