Votat nuk fitohen me akuza

Isa Mustafa vazhdon me porositë e tij për Vetëvendosjen. Thotë se votat nuk fitohen me shpifje dhe akuza. I fton kundërshtarët ta ruajnë qetësinë deri më 1 dhjetor, kur, sipas tij, do ta pësojnë humbjen definitive.

Lajme

15/11/2013 11:31

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shtuar aktivitetin e tij në rrjete sociale, prej nga po ua përcjell porositë rivalëve të tij politikë.

Ai ka shkruar sot në llogarinë e tij në Facebook se kundërshtarët e tij nga Vetëvendosje, me kandidatin e së cilës do të përballet në garën e balotazhit të 1 dhjetorit në Prishtinë, duhet të mësohen se votat nuk fitohen me shpifje.

“Vetëvendosja dhe zëdhënësi i ri i Vetëvendosjes, Blerand Stavileci, në panik nga humbjet e mëdha që pësuan në këto zgjedhje, u morën me akuza qesharake ndaj LDK’së.”

“Diferenca në vota ndërmjet kandidatit të LDK’së dhe VV është 9,340 vota.”

“Më vjen keq për moshën e tyre, por do të ishte mirë ta ruajnë shëndetin dhe qetësinë për datën 1 Dhjetor, kur do ta pësojnë humbjen definitive.”

“Atë ditë do të mësojnë leksionin se votat nuk fitohen me shpifje, montime dhe akuza, me rrokullisje të kamionëve me mallra private, me sjellje te dhunshme ndaj ambasadorëve të shteteve mike, me uzurpim të dhunshëm të Parlamentit të Kosovës, por me votën e qytetarit.”

“Prishtina dhe prishtinasit nuk i meritojnë të tillët.”