Votat e balotazhit

Shumica e komunave shkojnë në balotazh. Votimet, në të cilat pjesëmarrja ishte 47.83 për qind, ishin të qeta, me përjashtim të Veriut ku procesi u ndërpre. PDK dhe LDK shpallën fitoren e tyre, nëpër komuna dhe në nivel kombëtar.

Lajme

04/11/2013 01:17

Kosova kaloi të dielën një proces zgjedhor, por është në pritje të një procesi tjetër.

Në shumicën e komunave –  dhe në qytetet kryesore të vendit – qytetarët, sipas të gjitha gjasave, do të dalin përsëri pas një muaji për t’i votuar dy nga kandidatët të cilët morën më së shumti vota nëpër komunat e Kosovës në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Kjo për shkak se në shumë pak vende gara ka përfunduar që në raundin e parë.

Dy partitë më të mëdha në Kosovë, PDK dhe LDK, kanë shpallur fitoren si në shumicën e komunave ashtu edhe në votë popullore.

Edhe Hashim Thaçi edhe Isa Mustafa kanë folur para simpatizuesve me tone pozitive për rezultatin e arritur, duke e deklaruar secili partinë e tij si të parën në rand vendi.

Në krahasim me katër vjet më parë, Isa Mustafa sivjet duhet që ta presë garën e balotazhit për ta parë nëse do të rikonfirmohet në postin e të parit të Kryeqytetit. Sfiduesi i tij në balotazh do të jetë Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes. Nga 71 % e votave të numëruara në Prishtinë, Mustafa prinë me 44 %, kurse Ahmeti ka 30 %.

Në Prizren udhëheq Ramadan Muja i PDK’së me 38 %, ndërsa kandidati i LDK’së Eqrem Kryeziu e ndjek me 26 %.

Në Gjakovë Mimoza Kusari-Lila e AKR’së udhëheq me 42 % të votave, e pasohet nga Pal Lekaj i AAK’së me 36 %, pas numërimit të 85 % të votave.

Në Pejë, sipas rezultateve preliminare, udhëheq Gazmend Muhaxheri i LDK’së me 40 %. Ai pasohet nga Ali Berisha i AAK’së me 38 %.

Në Gjilan, ndërkaq, udhëheq Lutfi Haziri i LDK’së me 38 % të votave, kurse Qemajl Mustafa i PDK’së ka 28 % të votave, pas numërimit të 50 % të votave.

Sado që raportet preliminare të vëzhguesve janë në pritje, përshtypja e përgjithshme është se zgjedhjet kanë kaluar të qeta dhe manipulimet e shfaqura në zgjedhjet e kaluara nuk janë përsëritur.

Votimet e së dielës kaluan pa incidente në pjesën më të madhe të territorit të Kosovës, por në katër komunat e veriut të vendit OSBE u detyrua ta ndërpresë procesin e votimit para orarit të paraparë për shkak të sulmit nga bandat e maskuara ekstremiste serbe.

Në zgjedhjet lokale, të dytat që nga shpallja e pavarësisë dhe të pestat që nga çlirimi i Kosovës, morën pjesë 814.780 votues nga rreth 1.8 milion sa ishin të regjistruar, ose 47.82 për qind.

Numri i votuesve, në krahasim me zgjedhjet e kaluara, është rritur në rreth 100 mijë.