Vota serbe mban Serbinë në Kosovë
Aleksandar Vucic fton serbët e pranishëm në tubimin e “Listës Serbe” që të dalin në zgjedhje për të respektuar Serbinë. Thotë se deri më tash komuniteti serb ka marrë paga dhe pensione, ndërsa tash është koha që edhe ata të japin një kontributin për Serbinë.

Lajme
(E Plotësuar)
Zv. Kryeministër i Serbisë Aleksandar Vucic gjatë vizitës në Gracanicë ka thënë se dalja e serbëve në zgjedhjeve nënkupton respekt ndaj shtetit të Serbisë.
“Shteti nuk mund të jetë i mirë vetëm atëherë kur paguan paga dhe pensione, ndërsa kur të bëjë thirrje për zgjedhje të jetë i keq. Zgjedhjet do të marrin një legjitimitet ndërkombëtar të komunitetit serb dhe të Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë”, ka thënë Vucic në tubimin zgjedhor të “Listës Serbe”.
Ai u ka thënë të pranishmëve në tubim se duhet të pyesin se çfarë do të përfitojnë nga dalja në zgjedhje.
“Serbët duhet të pyesin vetën se çfarë do të përfitojnë nga zgjedhjet. Mospjesëmarrja e serbëve do të zgjedhë një Kryetar jo serb në Komunën e Veriut të Mitrovicës. Gjithashtu, do të mund të zgjidhet një Kryetar i Gracanicës i cili nuk do t’u konvenojë serbëve”.
“Ju jeni ata të cilët e ruani Serbinë në Kosovë. Pa ju, do të mund të shkojë dëm çdo gjë që ka bërë shteti serb deri më tani”.
Ftojnë për dalje në zgjedhje
Aleksandar Vucic dhe Aleksandar Vulin, nga Gracanica, u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të dalin masovikisht në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Gjatë tubimit të “Listës Serbe”, në Gracanicë, Vucic tha se siç ka të drejtë të flasë në Kosovë Kryeministri i Turqisë dhe ai i Shqipërisë, ka të drejtë të flasë edhe ai.
Ai pohoi se nuk dëshirojnë marrëdhënie të këqija me shqiptarët dhe të tjerët.
Vucic ka lutur serbet që masovikisht të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit. Sipas tij, kjo do t’u sigurojë atyre një jetë më të mirë.
Ai ka thënë se serbët në Kosovë nuk dëshirojnë asgjë përveç të drejtave siç i kanë shqiptarët.
Vucic thyen skenarin e vizitës
ZëvendësKryeministri i Parë i Serbisë Aleksandar Vucic dhe Ministri serb pa Portofol, i ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, kanë arritur në Graçanicë.
Ata janë shoqëruar në podiumin e “Listës Serbe” që është vendosur në qendër të Graçanicës ku është duke u mbajtur tubimi përmbyllës i fushatës së kësaj iniciative, e cila mbështetet nga Qeveria serbe. Me të dalë në podium, është intonuar himni serb.
Vulin, ardhja e të cilit në Kosovë ka qenë në pikëpyetje deri dje, nuk ka ardhur i uniformuar si më parë, por me sako të zezë dhe këmishë gri.
Bashkë me ta do të jetë edhe Ministri i Drejtësisë Nikola Selakovic.
Vucic e ka thyer skenarin e vendosur për vizitën e sotme në Graçanicë.
Ndonëse ishte parashikuar që Vucic e Vulin të shkojnë së pari në Manastirin e Graçanicës për të takuar klerikët ortodoksë serbë, ata kanë bërë të veten duke marrë pjesë në një tubim të “Listës Serbe”.
“Ata më urdhëruan së pari të shkoj në Manastir, sepse sipas tyre kjo është vizitë fetare. Unë do të shkoj aty më pas, e ata le të bëjnë çfarë të duan”, ka thënë Vucic.
Ai ka thënë se nuk e ka bërë këtë “për inat”.
Ndërsa Ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nikola Selakovic është shprehur se “Ai që nuk është për ‘Listën Serbe’ nuk është për Serbinë”.
Ata së pari do të qëndrojnë në Graçanicë, ndërsa Selakovic më pas do të shkojë në Mitrovicë të Veriut ku do të bisedojë me gjykatës, prokurorë dhe anëtarë të sindikatës, të punësuar në organet e drejtësisë në këtë qytet, raporton Tanjug.
Vladeta Kostic nga “Lista Serbe” ka thënë për mediat serbe se kjo është është një vizitë e rëndësishme për serbët e Kosovës.
“Ardhja e ZëvendësKryeministrit të Parë nënkupton se ne serbët e Kosovës duhet ët dalim në zgjedhje dhe ta mbështesim atë subjekt i cili që nga fillimi ka luftuar për Bashkësinë e Komunave Serbe, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të mbijetojmë këtu ku jemi tash”, ka thënë Kostic
“Lista Serbe” ka bërë të ditur se në Graçanicë, Vucic dhe Vulin do të priten nga mijëra mbështetës të këtij subjekti nga e gjithë Kosova.