Vota për Qeverinë Hoti, a po kalon në AAK, Haxhi Shala?

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, i cili ditë më parë deklaroi se nuk do ta votojë Qeverinë Hoti sot ia dha votën kësaj qeverie, derisa gjatë seancës së mbajtur tha se mendjen ia ndërroj presidenti hashim Thaçi dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lajme

03/06/2020 15:43

E pas përfundimit të seancës ku është votuar Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti, u përfol se deputeti Shala pritet që nesër të aderoj në AAK.

FaktePlus ka kontaktuar me deputetin Haxhi Shalën, por ai nuk ka dashur të flas shumë për këtë çështje.

“Jo, nuk ka asgjë të vërtetë”, tha ai.

Edhe Endrit Shala nga Nisma ka thënë se Haxhi Shala nuk të kaloj në asnjë parti tjetër.

Shala ka thënë se vota e Shalës për Qeverinë Hoti ka qenë publike dhe sipas tij ka qenë në koordinim me partinë.

“Nuk është e vërtetë kjo. Shala ka votuar sot për Qeverinë Hoti dhe veprimi i tij është në koordinim me Nismën. Nuk ka asnjë informata apo diçka të tillë se Haxhi Shala kalon në AAK”, tha ai shkurt.

FaktePlus ka kontaktuar edhe me zyrtarë nga AAK-ja. Deputeti i kësaj partie Bekë Berisha nuk e përjashtoi mundësinë e aderimit të Shalës në partinë e tyre.

“Po, ka mundësi. Nuk ka oferta, sepse nuk është pazar këtu, por ka mundësi edhe pse nuk dihet kur”, tha Berisha shkurt i pyetur nga FaktePlus për kalimin eventual të Shalës në AAK.

Kujtojmë se Haxhi Shala nga Nisma ishte deklaruar kundër votës së tij për Qeverinë Hoti, por sot votoi për.

Shala deklaroi që “pas vizitës së mbrëmshme në familjen time të Presidentit dhe ish-kryeministrit Haradinaj kam ndërruar mendje dhe vota ime do të jetë pro për këta dy persona dhe pro Qeverisë Hoti”.

E pas kësaj KDI-ja ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratën publike të deputetit Haxhi Shala në seancën e sotme për ndryshimin e qëndrimit të tij për votimin e Qeverisë Hoti.

“Rikujtojmë që Kushtetuta e Kosovës (neni 70, pika 1) lidhur me mandatin e deputetëve thotë që “deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues””, thuhet në reagimin e KDI-së.

Kuvendi i Kosovës sot me shumicë votash ka votuar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Qeveria e re është rezultat i koalicionit të LDK-së me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe.

Nga 86 deputetët e pranishëm, 61 deputetë kanë votuar për, kurse 24 kanë qenë kundër dhe një abstenim.

E pas votimit të qeverisë janë ngritur dyshime se ka pasur gabim në llogaritjen e votave për Qeverinë Hoti.

Në fakt, analisti politik, Blerim Vela është ai që ka hedhur dyshime mbi numrin e deputetëve që kanë votuar qeverinë Hoti sot në Kuvend.

Ai ka thënë se rezultati i deklaruar nga kryesuesi i seancës nuk ishte i saktë për një arsye.

“Kryesuesi njoftoi se ishin 86 vota total nga te cilat 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim. Në seancë sipas pamjeve dhe deklaratave publike kanë qenë 2 vota abstenim. Ajo e Donika Kadaj Bujupit të AAK dhe Fatmir Rexhepit të LDK”, ka hedhur dyshimet Vela.