Vota për Kryeqytetin

Kandidatët e partive politike për Kryetarë të Prishtinës kanë hedhur sot votën e tyre në kutitë e bardha të votimit, në qendrat e tyre respektive. Secili me shpresë për vete.

Lajme

03/11/2013 16:24

Kandidati i LDK’së dhe Kryetari aktual i Prishtinës, Isa Mustafa votoi në shkollën fillore “Emin Duraku”, prej nga u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje.

“Të votojnë sipas vullnetit të tyre, të votojnë për Kosovën, të votojnë për integrimet tona europiane dhe të tregojmë se ne jemi një shtet demokratik, jemi qytetarë të cilët e respektojmë votën e lirë të njerëzve dhe se rezultatet e votimeve janë ato që legjitimojnë vullnetin e lirë të qytetarëve”.

Kandidati  i Vetëvendosjes Shpend Ahmeti votoi në shkollën fillore “Faik Konica”. Atje ai tha se sot, të gjithë, janë të barbartë..

“Mendoj se është një ndër ditët e pakta në shtetin tonë, në shoqërinë tonë kur të gjithë jemi të barabartë. Sot nuk ka dallim as se prej nga je, as çfarë mbiemri ke, as çfarë gjendje sociale e ke. Shpresoj që këtë barazi qytetarët ta shfrytëzojnë në të mirën e tyre”.

Besnik Tahiri që garon me siglën e AAK’së votoi në shkollën fillore “Dardania”, e vlerësoi si shumë të rëndësishme ditën e sotme.

“Padyshim se për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në veçanti për qytetarët e Prishtinës, kjo është një ditë tepër e rëndësishme. Ftesa ime për të gjithë Prishtinasit është që të dalin sa më shumë për të votuar, pasi që ky votim është tepër i rëndësishëm për të ardhmen e Prishtinës”.

Kandidati i AKR’së Korab Sejdiu votoi në shkollën fillore “Naim Frashëri”, prej nga ftoj institucionet e rendit që të kryejnë punën e tyre.

“Bëj thirrje për të gjithë institucionet përkatëse, organet e rendit e kështu me radhë që të jenë në kryerje të detyrës dhe t’i kryejnë detyrat e tyre siç edhe i përket me ligj dhe të sigurohen që të ketë zbatim të plotë të ligjit”.

Kryetari Legjendar Visar Arifaj votoi në shkollën fillore “Dardania”, ku arriti rreth orës 10:00  me veturën e tipit Porsche Carrera 911, ngjyrë të zezë mat, siç tha ai vetë, një përzgjedhje kjo modeste e Partisë me rastin e këtij gazmendi shtetëror votues.

“Qytetarit krejt çka i duhet është një vijë e drejtë e thyer, ndërsa katër vitet tjera janë për kryetarin. Ata nuk kanë nevojë të shprehen shumë, vetëm një vijë e drejtë e thyer në një copë letre në çdo katër vjet, dhe pjesën tjetër duhet të na besojnë neve sepse ne jemi ata të cilët më së miri e dimë se çka ka nevojë ky vend dhe kjo shoqëri”.