Vonohen arsimtarët, drejtori i mbyll për 30 minuta

Drejtori Avdyl Reka thotë se shkaku i vonesave të arsimtarëve, ai ua ka ndaluar mbajtjen e orës së pestë.

Lajme

12/03/2019 20:22

Në sallë qëndrojnë mes orëve të mësimit. Por, të hënën, arsimtarëve të shkollës fillore “Emin Duraku” në Kaçanik, pushimi iu zgjati më shumë se zakonisht.

Kjo për shkak se drejtori i kësaj shkolle, Avdyl Reka, ua mbylli derën për 30 minuta.

E të ngujuar në sallën e tyre, mbeten rreth dhjetë arsimtarë.

Arsyeja për këtë, ishte vonesat e mësimdhënësve në orarin e punës dhe mbajtjen e orëve.

Rastin për televizionin e konfirmuan arsimtarët dhe nxënësit, por që hezituan të flasin para kamerës.

Por, këto akuza të arsimtarëve, i mohoi drejtori i shkollës, ndonëse nuk deshi të flasë para kamerës.

E në Komunën e Kaçanikut, thonë që ata janë të njoftuar me rastin.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Zahir Doda, thotë se ishte një mësimdhënëse, ajo qe e njoftoi gjatë kohës kur po mbaheshin të mbyllur.

Ndërsa përfaqësuesi i Shoqërisë Civile në Kaçanik, Alban Hysa, thotë se faj në këtë rast, kanë të dyja palët.

Megjithatë, mosrespektimi i orarit të punës është vepër që ndëshkohet, veçse jo në formën si reagoi drejtori i shkollës.

Sipas nenit 43 të Rregullores për organizimin e punës në shkollat fillore, kjo konsiderohet si shkelje e lehtë.

Kurse neni 44, thotë se dënimi për këtë shkon deri tek shqiptimi i një gjobe financiare.

Ndërsa në rast se kjo përsëritet, atëherë nis procedura në komisionin disiplinor, në përputhje me ligjet në fuqi.

YouTube player