Vonesat në ligjin e ri po e dëmtojnë Arsimin e Lartë, kush e ka fajin?

Ligji për Arsimin e Lartë tash e disa vite po mbahet peng dhe nuk po votohet në Kuvendin e Kosovës.

Lajme

21/05/2019 19:19

Ekspertët e arsimit duke kërkuar votimin e këtij ligji, kanë konstatuar vazhdimisht se kjo po e dëmton mjaft shumë cilësinë në arsimin e lartë, shkruan lajmi.net.

Pothuajse në secilën seancë të Kuvendit të Kosovës gjatë këtij viti ishte pikë e rendit të ditës edhe votimi në parim i këtij projektligji i cili ende nuk u votua.

Për miratim të Ligjit për Arsimin e Lartë nevojiten edhe 2/3 e votave të serbëve në Kuvendin e Kosovës, por dihet se tash e disa muaj ata po i bojkotojnë institucionet.

Shefi i Komisionit Parlamentar për Arsimin e Lartë, Ismajl Kurteshi në një prononcim për lajmi.net është shprehur se vonesat e këtij ligji po e dëmtojnë shumë arsimin e lartë.

E pengesë për t’u votuar ky ligj, sipas Kurteshit është minoriteti serb, pasi do iu lejohej e drejta e vetos.

“Natyrisht që arsimi i lartë po dëmtohet shumë për shkak të këtij ligji, por duhet të përmendim edhe arsyen që është krejt politike për shkak që ky ligj i lejon minoritetit serb të ketë të drejtën e vetos dhe ata po bëjnë veto dhe nuk po e lejojnë të kalojë ky ligj sepse ata janë të interesuar të bllokojnë funksionimin e shtetit të Kosovës”, tha Kurteshi për lajmi.net.

Ai është shprehur se është mjaft e dëmshme për Kosovën vonesa e këtij ligji, por sipas tij më e dëmshme është nëse iu jepet kjo e drejtë minoritetit serb.

“Është tepër e dëmshme vonesa e ligjit, por më shumë është e dëmshme kjo e drejtë e cila nuk duhet t’i takojë askujt të bëjë veto që absolutisht nuk i prek të drejtat e minoriteteve”, tha Kurteshi.

E në anën tjetër, Rinor Qehaja, ekspert i arsimit është shprehur se është e pakuptimtë vonesa procedurale e këtij ligji, mirëpo sipas tij fajin e kanë grupet e interesit dhe jo minoriteti serb.

“Stërzgjatja e miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë është e pakuptimtë proceduralisht mirëpo indikacion për fuqinë e disa grupeve të interesit në këtë proces. Arsyetimi i kamotshëm që kinse projekt-ligji është peng i grupeve minoritare në kuvend, nuk qëndron, kjo stërzgjatje është produkt i tendencës për ndikim në proces të grupeve të interesit të lidhura ngusht me partitë politike, ndikim i konvertuar në vota në Kuvend”, tha Qehaja për lajmi.net.

Sipas tij, mungon një vizion shtetëror për Arsimin e Lartë dhe gjithçka është e lidhur edhe kalkulime e inate politike.

“Mungesa e një vizioni shtetëror për Arsimin e Lartë, por i lidhur me inate dhe kalkulime politike është duke sjellur në një situatë ku dokumentet e ligjeve kundërshtohen jo pse mungon cilësia por pse janë produkt i një partie tjetër politike”, tha Qehaja.

Në fund, Qehaja ka konkluduar se vonesat e këtij ligji po kanë ndikim të përditshëm në cilësinë e Arsimit të Lartë.

“Ligji për Arsimin e Lartë paraqet prioritet për korrigjimi të shumë të metave nga legjislacioni aktual, andaj mos-miratimi i tij është duke pasur ndikim të përditshëm në cilësinë e Arsimit të Lartë”, tha Qehaja.

Vlen të theksohet se muaj më parë në Kuvendin e Kosovës është diskutuar për ligjin në fjalë dhe mundësitë për përmirësime janë lënë të bëhen pas votimit në parim – gjë që nuk ka ndodhur. /Lajmi.net/