Von Cramon: Kosova nuk ka legjitimim për të hyrë në ndërtesat komunale në veri

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka komentuar mbi zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit. Ai thotë se kupton që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, mund të kenë të drejtë të ushtrojnë funksionet e tyre. Megjithatë,Von Cramon thotë se nëse…

Lajme

28/05/2023 16:52

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka komentuar mbi zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit.

Ai thotë se kupton që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, mund të kenë të drejtë të ushtrojnë funksionet e tyre.

Megjithatë,Von Cramon thotë se nëse hyrja e tyre në ndërtesat komunale do të bëhet vetëm me prezencën e forcave policore të armatosura rëndë, atëherë ata kanë “zero legjitimim politik”.

“Mendoj se shumë gjëra shkojnë keq në këtë shtet nëse ky është realiteti, nëse shohim makina të blinduara, policë të armatosur rëndë, njësi speciale që 24/7 ruajnë ndërtesat komunale, ne vërtetë duhet të mendojmë për mundësi të tjera dhe opsione të tjera. Kjo nuk është të paktën ajo ne dhe BE-ja kemi në mendje. E di që është situatë e vështirë, siç e kam thënë më parë, Qeveria mund të ketë diçka tjetër në mendje, por si e zbatoi atë, nuk është në linjë me gjithçka, të paktën ne në BE do të donim të shihnim”, thotë ajo, raporton REL.

Sipas zyrtares së lartë evropiane, duhet një zgjidhje që do të përfshinte edhe banorët lokalë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, kur grupe të serbëve lokalë më 26 maj kundërshtuan hyrjen në ndërtesa komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Policia e Kosovës asistoi hyrjen e tyre në zyra dhe u përlesh me serbët lokalë, të cilët hodhën gurë në drejtim të forcave policore.

Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe gaz lotsjellës, teksa u raportua se pesë policë u lënduan dhe disa makina të tyre u dogjën.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar fuqishëm veprimet e Kosovës, duke i kërkuar që të shtensionojë situatën.

BE-ja ka kërkuar që Prishtina të mos marrë veprime të njëanshme, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”.