Vokrri: Kemi kapacitet për dy Përfaqësuese
Fadil Vokrri është i bindur se shqiptarët kanë kapacitet të paraqiten në arenën ndërkombëtare me dy ekipe, Përfaqësuesen e Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Kreu i futbollit kosovar nuk mendon se është momenti i një Kombëtareje të përbashkët. “Dy skuadra? Kemi kapacitete t’i mbajmë dy Kombëtare apo Përfaqësuese. Kemi mjaft talentë në mbarë Evropën. Ata…
Sport
Fadil Vokrri është i bindur se shqiptarët kanë kapacitet të paraqiten në arenën ndërkombëtare me dy ekipe, Përfaqësuesen e Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Kreu i futbollit kosovar nuk mendon se është momenti i një Kombëtareje të përbashkët.
“Dy skuadra? Kemi kapacitete t’i mbajmë dy Kombëtare apo Përfaqësuese. Kemi mjaft talentë në mbarë Evropën. Ata që nuk mund të luajnë me Shqipërinë, mund të luajnë me Kosovën dhe anasjelltas. Kur ta kemi vetëm nëj Kushtetutë, atëherë mund ta bëjmë vetëm një Kombëtare”, është shprehur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës në emisionin ‘BAR Sport’, që transmetohet në SuperSport.
Legjenda e futbollit shqiptar insiston se selektori Albert Bunjaki i ka duart e lira për ta bërë përzgjedhjen e lojtarëve.
Futbollistët që u ftuan në ndeshje me Haitin i kanë pëlqyer Vokrrit. Gjithsesi, ky i fundit e pranon se në të ardhmen mund të ketë ndryshime në përbërje nga selektori.
Ndeshjen me Haitin, ai e konsideroi si shumë atraktive. Ndërkaq, duelin me Turqinë nuk e konsideron hiç më pak historike, në krahasim me atë që u luajt në Mitrovicë, të mërkurën e kaluar.
Vokrri e ka falënderuar mikun e shqiptarëve, Ali Shen, i cili ka ndihmuar shumë në marrëveshjen e arritur për zhvillimin e ndeshjes miqësore ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, që do të luhet në muajin maj.
“Por, unë dhe Eroll Salihu kemi marrëdhënie të mira me Fatih Terim (selektori i Turisë). Shteti i Kosovës, përmes këtyre ndeshjeve miqësore ka nevojë të konsolidohet”, përfundoi Vokrri.