Vlorë: Shënohet viktima e parë nga moti i keq (Video)

Moti i keq me shi të dendur dhe stuhi të forta ere ka shkaktuar viktimën e parë në qytetin e Vlorës.

Lajme

11/10/2015 11:16

Trupi i pajetë i Luan Qarrit, rreth 50 vjeç, është gjendur në zonën e Rradhimës, ku situata është më e rënduar.

Sipas “A1 Report”, viktima punonte si roje dhe dyshohet se rrjedha e ujit e ka marrë teksa shkonte për në punë.

Disa nga lagjet dhe rrugët kryesore të qytetit janë mbuluar krejtësisht nga uji. Shumë banesa dhe biznese janë përmbytur, ndërkohë që nga moti i keq është shkëputur energjia elektrike në qytet dhe shumë fshatra përreth.

Si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm është bllokuar nga rrëshqitja e dherave aksi Radhimë-Orikum.

E rëndë paraqitet gjendja edhe në qytetin e Fierit, ku lumi Gjanicë ka dalë nga shtrati duke përmbytur banesa, lokale e dyqane të ndërtuara afër tij. Në disa lagje është ndërprerë energjia elektrike.

vlore3

Si rezultat i reshjeve janë përmbytur lagjet “24 Maji”, “Pavarësia” dhe “15 Tetori”. Policia ka marrë menjëherë masa për shpërnguljen e tetë familjeve me rreth 25 persona nga shtëpitë që janë përmbytur në këto lagje. Tre prej tyre janë dërguar në Spitalin Rajonal për trajtim mjekësor.

vlore

Sipas policisë, në disa rrugë të qytetit, si “10 Korriku”, qarkullohet me vështirësi dhe disa prej segmenteve që lidhin qytetin e Vlorës me Fierin, Orikumin dhe fshatrat përreth janë të pakalueshme si rezultat i inerteve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.

Reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në Skrapar, ku Ura e Kashabashit rrezikon të shembet pasi njëra këmbë e saj është shkatërruar plotësisht. Përmbytje ka edhe në qendër të Skraparit, ndërsa ka pasur rrëshqitje dherash në aksin Çorovodë-Potom.

vlore1

Shirat e rrëmbyeshëm të rëna gjatë mbrëmjes dhe mëngjesit të sotëm kanë sjellë probleme dhe në Rrugën e Kombit. Në disa segmente të aksit Kalimash-Kukës-Morinë ka pasur rënie gurësh dhe dherash, por pa krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Sipas specialistëve, drejtuesit e mjeteve duhet të kenë kujdes në disa prej segmenteve ku ka rënie gurësh.