Vllaznia merr në provë serbin racist që shkruan “Kosova është Serbi”

Lojtari i radhës që vjen për t’u testuar te Vllaznia është një sulmues serb, teksa bëhet fjalë për 33-vjeçarin Vuk Sotiroviç. Problemin më të madh aktualisht skuadra kuqeblu e ka në vijën e parë të sulmit.

Sport

29/01/2016 11:45

Trajneri Cungu dhe pjesa tjetër e stafit teknik janë përqendruar për të gjetur një sulmues, por në këtë merkato janari duket shumë e vështirë.  Dje serbi Sotiroviç ka kryer stërvitjen e parë, por nuk mund të thuhet se për trajneri Cungu ka marrë një vendim.

Edhe pse koha nuk pret, pritet që sot, ose maksimumi nesër, të vendoset për serbin, i cili në fakt ka një CV të pasur, teksa në të kaluarën është aktivizuar për skuadra si Zelezniçar Beograd, BSK Borça, Radniçki dhe Novi Pazar, përcjell “Panorama Sport”.

Kulmi i Sotiroviç është aktivizimi në Poloni me klube si Jagellonia, Slask Vroklav, Pogon etj.. Ndërsa së fundmi ka luajtur në Singapor.

Ajo që bie në sy është se serbi Sotirovic, në profilin e tij në facebook, shpreh hapur qëndrimin e tij kundër Kosovës, duke u bërë një me tifozët shovinist në Serbi.

Ai ka postuar kohë më parë, një video me titull “Kosova është Serbi”, e gjithashtu edhe foton e koreografisë që bën ultrasit e Cervena Zvezda, Delije, në ndeshjen me Vojvodinën, e cila shprehte kundërshtimin e tyre për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Në foto shkruhej: “E humbur është vetëm ajo që heq dorë. Ne nuk do të heqim dorë kurrë nga Kosova”.