Vllasi kërkon pezullim të dialogut, propozon kushte për Serbinë

Kosova para dy ditëve humbi betejën për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO). Ashtu edhe siç pritej, Serbia me lobimin e saj, bëri që Kosova ta humbë mundësinë për anëtarësim në UNESCO.

Lajme

11/11/2015 16:14

Pati reagime të mëdha lidhur me atë se Kosova duhet t’i ndërpresë menjëherë bisedimet me Serbinë.

Edhe njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë një pauzë dhe një ridizajnim të pozitës së saj në raport me Serbinë.

Kështu është shprehur Azem Vllasi, në një prononcim për ORAinfo. Ai ka thënë se aktiviteti i Serbisë kundër Kosovës duhet të jetë motiv që përkohësisht Kosova t’i ndërpresë bisedimet me Serbinë.

“Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë një pauzë të shkurtë, lidhur me bisedimet me Serbinë në Bruksel. Duhet të bëhet një ridizajnim i të gjitha kontakteve dhe bisedave me Serbinë, duke pas parasysh faktin se lidhur me gjithë këtë aktivitetin e Serbisë kundër Kosovës duhet ndryshuar qasja e Kosovës ndaj këtyre bisedimeve”, ka thënë ai.

Por Vllasi ka një ide se si Qeveria e Kosovës duhet ta kaloj krizën e saj institucionale duke përfshirë këtu edhe bisedimet me Serbinë.

Këto janë katër pikat që Vllasi i ka rekomanduar.

–Serbia të zotohet se nuk do të zhvilloj ndonjë aktivitet politik, diplomatik dhe propagandistik kundër Kosovës dhe konsolidimit të pozitës së saj në mekanizmat ndërkombëtarë

–Serbia duhet të deklarohet hapur se nuk do të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës siç ka tani, dhe se do t’i respektoj kufijtë ekzistues në mes të Kosovës dhe Serbisë si kufij ndërshtetëror

–Serbia publikisht duhet të deklarohet se në afatin kohor prej 1 viti do ta heq Kosovën nga kushtetua e Serbisë.

–Marrëveshjet e arritura në Bruksel për disa çështje siç është ajo e komunave me shumicë serbe të zëvendësohet me një vendim të Qeverisë së Kosovës për formimin e kësaj bashkësie.

Kujtojmë se Kosova me datë 9 të këtij muaji humbi betejën për anëtarësim në UNESCO e cila nuk arriti që për tri vota të anëtarësohet në UNESCO dhe duket se pikërisht lobimi i BRICS-it bëri që disa shtete edhe që e kanë njohur Kosovën të abstenojnë ose të kundërshtojnë anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë të OKB-së.