Vllasi: Asociacionin e komunave shqiptare në Luginë, nuk mund ta pengojë Serbia

Ideja e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare, po vlerësohet si ide e drejtë.

Lajme

10/09/2015 19:12

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Azem Vllasi, ka thënë për ORAinfo se krijimi i një Asociacioni të tillë me shumicë shqiptare është i realizueshëm.

“Ideja është e mirë dhe lehtë e realizueshme, pasi Komuna e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvexha kanë shumëçka të përbashkët, jo vetëm etnikisht, por edhe në aspektet e tjera. Një Asociacioni i tillë do ishte shumë i dobishëm për ta”, ka thënë Vllasi, duke shtuar se Serbia e ka të pamundur të ndalojë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare.

“Serbisë ndoshta nuk i vjen mirë, por nuk ka mundësi që të pengojnë një gjë të tillë, sepse janë do konventa evropiane për të drejtat e organizmit regjional që e lejojnë një gjë të tillë”, ka thënë Vllasi. “Nëse ky Asociacion është i mirë për serbët, pse mos të jetë model edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.

Duke komentuar deklaratat e drejtorit të zyrës serbe për Kosovës, Marko Gjuriq, i cili ditë me parë e ka quajtur të pamundur dhe qesharake idenë e shqiptarëve të Luginës se Preshevës, Vllasi ka theksuar se Gjuriq vazhdon të jetë i ngarkuar me ide raciste, duke menduar se vetëm serbët kanë të drejtë në çdo gjë ndërsa të tjerët jo.