Vllahiu: Qëndrueshmëria e shtetit po lëkundet

Mos krijimi i institucioneve të vendit, përveç krizës politike, po e dërgon vendin drejt krizës buxhetore dhe financiare, ka thënë Arbër Vllahiu këshilltar i presidentes Jahjaga.

Lajme

28/10/2014 16:04

Vllahiu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova ka hyrë në një fazë kritike, ku qëndrueshmëria e shtetit po lëkundet dhe se po rrezikohet edhe mirëqenia e qytetarëve

Ai ka rikujtuar se për një muaj, presidentja Jahjaga ka lehtësuar procesin, duke takuar liderët e partive politike në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes e cila do të respektonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të ishte në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

“Vendi tani ka hyrë në një fazë kritike, kur qëndrueshmëria e tij po lëkundet, kur gjithashtu po rrezikojmë futjen në një krizë të thellë jo më politike, por buxhetore dhe financiare dhe kur po rrezikohet mirëqenia e qytetarëve.

“Mos të harrojmë se pa konstituimin e Kuvendit nuk do të mund të miratohet ligji për buxhetin, i paraparë nga fundi i muajit nëntor dhe kjo nënkupton që nuk mund të garantojmë funksionimin e shtetit”, ka deklaruar Vllahiu.

Sa i përket një takimi të përbashkët mes liderëve politikë , Vllahiu thotë se për këtë do të ishte e nevojshme që liderët të tregojnë gatishmëri për t’u ulur bashkë dhe ofruar zgjidhje.

“Takimi i përbashkët i liderëve të partive politike parlamentare duhet të përgatitet dhe njëkohësisht duhet gatishmëri e tyre për t’u ulur me qëllim të gjetjes së zgjidhjes.

“Paraprakisht duhet të krijohen kushtet për një takim të suksesshëm, që fillimisht rinis dialogun ndërmjet liderëve dhe qon drejt një pajtimi për zgjidhjen e problemit”, ka theksuar Vllahiu.

Sipas tij, efektet e krizës po hetohen edhe në aspektin e përfaqësimit të Kosovës jashtë vendit.

Presidentja Jahjaga, ka thënë Vllahiu, është detyruar që të anulojë tri vizita vetëm brenda muajit tetor, dhe rrjedhimisht është pamundësuar që ta përfaqësojë vendin jashtë.

“Nëse flasim për afate, atëherë realisht institucionet tashmë do të duhej të ishin funksionalizuar për të përmbushur obligimet ndaj qytetarëve fillimisht dhe pastaj edhe ato ndërkombëtare. Sa më gjatë të shkojë kjo situatë aq më e thellë do të bëhet kriza dhe aq më shumë do të rrezikohet mirëqenia e qytetarëve”, ka deklaruar Vllahiu.