Vllahiu: Nyja zgjidhet vetëm në takimet te Presidentja

Këshilltari i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu ende e sheh zgjidhjen e nyjës institucionale në Presidencë.

Lajme

06/11/2014 20:05

Krerët e partive të bllokut paszgjedhor VLAN kanë reflektuar me pesimizëm kohëve të fundit. Ata nuk shohin ndonjë mundësi që zgjidhja e vakumit institucional në vend të bëhet në takimet e përbashkëta VLAN-PDK në Presidencë.

Por, këshilltari i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu vazhdon ta shohë institucionin ku ai punon si vend për zgjidhjen e nyjës institucionale.

“Vetëm takimi i përbashkët në Zyrën e Presidentes do ta zgjidhë nyjën institucionale, me vullnetin e gatishmërinë e liderëve të partive politike parlamentare që të ofrojnë zgjidhjen përfundimtare për këtë situatë”, ka thënë ai për lajmi.net

Vllahiu, duke folur në kontekstin e njëjtë, tha për Deutsche Welle se, për shkak të krizës financiare në vend, më e rëndësishme është zgjidhja e situatës sesa shkuarja në zgjedhje.

“Zgjidhja është me rëndësi, jo zgjedhjet, sepse tashmë Kosova ka hyrë në një krizë financiare dhe këtë po e ndjejnë posaçërisht qytetarët e vendit dhe punëtorët e ndërmarrjeve të ndryshme”, tha Vllahiu.