Vllahiu: Deputetët të gjejnë forcën dhe guximin për zgjidhje brenda Kuvendit

Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu tha se vendi është në një periudhë kohore kur është i domosdoshëm krijimi i institucioneve. 

Lajme

18/09/2014 22:01

Sipas këshilltarit të Presidentes, mungesa e institucioneve po e pengon edhe punën e institucioneve të tjera, si dhe rrugën dhe bashkëpunimin e Kosovës me faktorin ndërkombëtar. Ai tha se qëllimi i takimeve në Presidencë është lehtësimi i dialogut ndërmjet partive politike.

“Në këtë fazë, ta quaj kritike, që jemi sot, ka qenë e domosdoshme që Presidentja në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese, që ka të bëjë me rolin e saj kushtetues si faktor i unitetit të popullit të Kosovës dhe gjithashtu si garantues i funksionimit demokratik të Kosovës që t’i ftojë dhe t’i ulë në tavolinë liderët e partive parlamentare për të dëgjuar prej tyre se çfarë kanë për të thënë dhe cilat janë mënyrat që ata propozojnë për të gjetur zgjidhjen për këtë çështje”, tha Vllahiu për RTK.

Sipas Vllahiut, janë vetë deputetët ata të cilët duhet të gjejnë zgjidhje në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës.

“Po e ritheksojmë edhe një herë faktin se janë deputetët e Kuvendit e Kosovës ata të cilët, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, bazuar në ligjet e Kosovës, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duhet të gjejnë forcën, duhet të gjejnë guximin që të gjejnë zgjidhjen brenda institucionit, të cilin e përfaqësojnë dhe për të cilin janë zgjedhur apo janë votuar nga qytetarët e Kosovës”, tha Vllahiu.