Vlerësohen mirë Policia dhe Prokuroria

Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një raport për zgjedhjet e 3 nëntorit ka treguar për progresin e arritur të Policisë dhe Prokurorisë, në detyrën e tyre për ndjekjet penale për shkeljet gjatë zgjedhjeve.

Lajme

08/11/2013 11:43

Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një raport mbi zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ka vlerësuar qasjen dhe angazhimin e organeve të sigurisë për ndjekjen dhe hetimin e veprave që ndërlidhen me krimet kundër të drejtave të votimit.

“Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë shënuar progres, gjithnjë duke krahasuar hetimin dhe ndjekjen e krimeve në zgjedhjet 2010”.

Në këtë raport thuhet se nënshkrimi i Memorandumit në mes të Prokurorit të Shtetit dhe organeve të tjera të drejtësisë, ka mundësuar parandalimin e manipulimeve në zgjedhje.

“Kjo ka qenë një iniciativë e institucioneve vendore, që paraqet një hap mjaft pozitiv në Kosovë, ku iniciativat për luftimin e krimeve të ndryshme më shumë shihen si rezultat i iniciativave dhe presioneve të komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në raport.

Bashkëpunimi në mes të Policisë së Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit duket se ka funksionuar. Vetëm gjatë fushatës zgjedhore janë shënuar mbi 30 incidente, ku si pasojë Prokurori i Shtetit ka filluar hetimet penale për 16 raste të cilat cilësohen si krime zgjedhore.

Në këtë raport po ashtu thuhet se bashkëpunimi me qytetarë ka qenë i frytshëm pasi që qytetarët kanë raportuar për parregullsitë që ata mund të kenë parë ngjatë ditës së zgjedhjeve.

Si pasojë e këtyre raportimeve Prokurori i Shtetit dhe Policia kanë reaguar shpejt, duke inicuar 21 raste ku janë të përfshirë 35 persona vetëm gjatë ditës së zgjedhjeve.

Por, pavarësisht se Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar lartë ditën e zgjedhjeve dhe punën e të gjithë akterëve në zgjedhje, ky institut ka nxjerrë edhe disa rekomandime, ku ndër më kryesoret është që të thellohet koordinimi mes PK dhe Prokurorit të Shtetit.

“Duhet avancuar edhe më tutje koordinimin në mes të Policisë së Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit”.

“Organet e ndjekjes duhet të avancojnë metodat e hetimit dhe të eliminojnë format e ndërlikuara të krimeve, që përfundimisht të eliminohen format e drejtpërdrejta dhe ato të tërthorta të kushtëzimit të votimit”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi në këtë raport nuk e ka përfshirë monitorimin e komunave veriore, pasi në këtë komuna janë të përziera kompetencat në mes të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare.