Vlerësim transparent për privatizimin

12:49 | 25 Janar 2014

Oda_Ekonomike_Amerikane_ne_Kosove_-_002

Oda Ekonomike Amerikane përshëndet iniciativën e Kuvendit për formimin e komisionit hetues dhe kërkon vlerësim të pavarur dhe objektiv në procesin e privatizimit. Por shpreh shqetësim për diskursin e deputetëve lidhur me këtë proces.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të bëjnë vlerësim të pavarur dhe objektiv të proceseve të kaluara të privatizimit.

Me anë të një komunikate, OEAK e ka vlerësuar pozitivisht iniciativën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për formimin e komisionit parlamentar për hetimin e procesit të privatizimit.

“Procesi i privatizimit në vend, përkundër sfidave të shumta që e kanë përcjellë në të kaluarën, ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si mundësia më e mirë për nxitjen e investimeve, qofshin ato vendore apo të huaja”.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vazhdimisht ka bërë thirrje për një proces të drejtë dhe transparent në përputhje me ligjet në fuqi, në mënyrë që përfitimet nga ky proces të maksimizohen në të mirë të shoqërisë kosovare dhe zhvillimit të sektorit privat në vend.

“Në këtë drejtim, nismat e fundit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjegjësisht formimi i komisionit parlamentar për të Hetuar Procesin e Privatizimit, në mënyrë që të rishikohet ligjshmëria e proceseve të kaluara të privatizimit, është për t’u përshëndetur.

“ Përkundër faktit se një hap i tillë mund të shkaktojë pasiguri tek investitorët potencial në proceset e ardhshme të privatizimit besojmë që ky hap është hap demokratik me të cilin jepet sinjal që zbatueshmëria e ligjeve është prioritet i organeve të vendit”.

“Megjithatë, Oda Amerikane është e shqetësuar me diskursin e përdorur nga disa deputetë të Parlamentit të Kosovës lidhur me çështjen në fjalë”.

“ Besojmë se deklaratat që e cenojnë sektorin privat dhe devalvojnë vlerat e ndërmarrësisë kosovare, u dërgojnë sinjal të keq investitorëve të tanishëm dhe investitorëve potencial, në një kohë kur të gjitha strategjitë dhe politikat do të duhej të ishin të orientuara kah përmirësimi dhe zhvillimi i sektorit privat në vend.

“ Ne u bëjmë thirrje deputetëve të përfshirë në proces për një vlerësim objektiv, të bazuar në prova dhe në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në Komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës.