Vjen reagimi i Kurtit pasi Amerika sanksionoi banditët serbë të veriut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur me sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj bandave kriminale serbe të cilët vepronin në veri të Kosovës dhe më gjerë.

Lajme

08/12/2021 21:56

Kurti theksoi se është shumë i mirëseardhur vendimi i SHBA-ve për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksioneve ndaj Zvonko Veselinoviq dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës.

“Shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinovic dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës. Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve”, tha Kurti.

Ai tutje shtoi se vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.

“Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”, shtoi kryeministri Kurti.

I pari i Qeverisë së Kosovës tha se krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare. Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj.

“Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit” ,përfundoi ai./Lajmi.net/

SHBA godet kriminelët serbë të veriut, fut në Listë të Zezë Radojiçiqin dhe Veselinoviqin

Këto janë kompanitë e kriminelëve serbë që SHBA u vendosi sanksione, 12 prej tyre në Kosovë