Vjen nota verbale nga Lesoto

Në notën verbale të njohjes nga Lesoto, Ministri i Jashtëm i kësaj Mbretërie, Mohlabi Kenneth Tsekoa, vlerëson lartë zhvillimet impresive dhe progresin e Kosovës dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

19/02/2014 14:48

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar notën verbale të njohjes nga Mbretëria e Lesotos, ku ministri i Jashtëm dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare i Lesotos, Mohlabi Kenneth Tsekoa vlerëson lartë zhvillimet impresive dhe progresin e Kosovës.

Ministri Tsekoa po ashtu e vlerëson shumë të rëndësishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke konsideruar përpjekjet për bashkë-ekzistencë paqësore ndërmjet dy vendeve si zhvillime me përfitime të dyanshme.

“Pas kuptimit më të qartë të këtyre zhvillimeve pozitive dhe të arriturave, unë kam bërë një prezantim të çështjes së Kosovës para Kabinetit të Madhërisë së Tij. Si përfundim, jam i lumtur të ju informojë se Qeveria e Mbretërisë së Lesotos ka marrë vendim që të njeh zyrtarisht Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran”, thuhet në notën verbale.

Vendimi për njohjen e Kosovës nga Lesoto i ishte konfirmuar ministrit Enver Hoxhaj nga homologu Tsekoa më 11 shkurt.

Njohja nga ky shtet i Afrikës, e çon në 106 numrin e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur Republikën e Kosovës.