“Vjen me Range Rover, duhet ta njohësh”, Zajmina Vasjari del në përgjimet e policëve të arrestuar në Morinë

Prokuroria dhe policia ka regjistruar 312 episode ku efektivët e policisë në pikën e kalimit kufitar në morinë kanë marrë ryshfete me qëllim kalimin e personave të cilët ishin në shkelje.

ShowBiz

11/04/2022 11:08

Në një episode të përgjimeve të SPAK, protagoniste është edhe artistja Zajmina Vasjari.

Për të kaluar doganën me fëmijë të mitur duhet të kesh një prokurë nga prindi tjetër, por me ndihmë të policëve të korruptuar, kjo u bë krejt e thjeshtë për këngëtaren, e cila ka kaluar fëmijët e saj në kufi pa prokurën e posaçme.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se datën 02.01.2022, ora 10:57, në aplikacionin “Whatsapp”, shtetasi i regjistruar me emrin “Tani Durrës” i thotë Laertit Sulos me sms: “…..është nusja e një shoku të ngushtë me kalamajtë aty në Morinë, po s’ka prokurë, Zajmina Vasjari.

Laert Sulo Polici: Kur do kthehet?

Tani: Ja ta pyes… dy ditë, datë 4 ka kthim…

Laerti: Ok, çfarë makine ka ose jepi nr. tim të flas me të…

Tani: ‘Renxh Rover’ ‘AA001UD’…

Laerti: Ok.

Menjëherë më pas, ora 11:00, Laert Sulo ia kalon me mesazh targën e automjetit të shtetases si porosi për ta ndihmuar punonjësit të Policisë Emilton Asllanaj me detyrë përgjegjës turni në P.K.K Morine duke i thënë:

Laert Sulo: Ndihmoje pak është duke ikur për në Kosovë, duhet ta njohësh, Zajmina Vasjari……….

Emiltoni: Jepi nr. tim

Nga verifikimi në sistemin TIMS rezulton se shtetasja Zajmina Vasjari ka kryer dalje nga Republika e Shqipërisë në datë 02.02.2022 dhe ka hyrë në datë 04.02.2022, duke kaluar kufirin me mungesë dokumentacioni Prokurore për fëmijët e mitur, duke u favorizuar dhe ndihmuar nga punonjësi i Policisë Emilton Asllanaj, kundrejt porosisë të marrë nga shefi i stacionit, Laert Sulo. Po ashtu, nga verifikimi në sistemin TIMS rezultojnë të regjistruar edhe dy fëmijët e saj të mitur.