Vjedhja në Bahrein, paraburgim për të dyshuarit

Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre të pandehurve që dyshohen se kanë marrë pjesë në vjedhje të armatosura në Mbretërinë e Bahreinit.

Lajme

11/10/2013 10:51

Me kërkesë të prokurorëve, një gjyqtar ndërkombëtar i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë, urdhëroi caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji tre të pandehurve që dyshohen se kanë marrë pjesë në vjedhje të armatosura në Mbretërinë e Bahreinit, njofton EULEX.

“Të pandehurit janë arrestuar nga Policia e Kosovës më 8 tetor, në bazë të akuzave për shtrëngim dhe sulm të rëndë, shkaktim të lëndimeve të rënda trupore dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në një grup të organizuar i cili ka kryer vjedhje të rëndë, ku përfshihet vjedhja e stolive (orëve luksoze të dorës) në vlerë prej mbi 1.1 milion euro”.

“Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar nga Policia e Kosovës nën drejtimin e prokurorëve ndërkombëtarë nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK)”.