Vizita e Vulinit “provokim shpirtëror”

Nysrete Kumnova thotë se gjakovarët do ta pengojnë me çdo kusht vizitën e Ministrit serb, Aleksandar Vulin. Paralajmëron se do të shtrihen edhe në asfalt për ta ndalur atë të hyjë në Gjakovë.

Lajme

06/01/2014 09:42

Vizita e sotme e paralajmëruar e Ministrit pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, në qytetin e Gjakovës të cilit ende nuk i janë shëruar plagët e luftës, ka ngjallur reagimin e qytetarëve të këtij qyteti.

Shumë qytetarë dhe familjarë të të zhdukurve në Komunën e Gjakovës, kanë dal sot para manastirit Bogorodicës për ta penguar vizitën e Vulinit.

Gruaja e cila është bërë simbol i luftës për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, thotë për lajmi.net se vizita e ministrit serb në Gjakovë do të kundërshtohet me të gjitha mjetet.

Nysrete Kumnova, e cila është Kryetare e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, tha se do të shtrihen në asfalt vetëm e vetëm për ta penguar vizitën e tij. Vizitën e ministrit serb, Kumnova e cila ende nuk di asgjë për fatin e djalit të saj të cilin në pranverë të vitit 1999 ia morën forcat serbe nga duart, e quan provokim shpirtëror.

“Të gjithë qytetarët e Gjakovës jemi duke protestuar dhe familjarët e të pagjeturve jemi para kishës  duke protestuar dhe duam ta parandalojmë ardhjen e tyre, vizitën e tyre”.

“Ata nuk kanë vend as në Kosovë, por në Gjakovë kurrsesi”.

“Ne do t`i mbrojmë me trupat tonë, do të shtrihemi në asfalt dhe nuk do t`i lejojmë të vijnë”.

“Kjo vizitë është provokim shpirtëror që ta shohin edhe sa mund të durojmë ne kur dihet se edhe 1700 persona janë të pagjetur duke provokuar urimin e nënave”.

“Dy Kryeministrat, ai i Kosovës dhe ai i Serbisë, të cilët janë në bisedime, i lejojnë kësi maltretime nënave të tyre. Është turp edhe për ndërkombëtarët edhe për ata që po bisedojnë”.

Kumnova ka shtuar se ata nuk e kanë vendin në Kosovë.

“Ata nuk duhet të vijnë këtu ata nuk e kanë vendin në Kosovë. E keni parë raportin për varrezat, jo vetëm që i kanë vrarë por kanë shtruar edhe asfalt mbi trupat e djemve tanë dhe sot e 15 vite nuk di për djalin ku e kam, e ata vijnë të na vizitojnë këtu në Gjakovë”.

Vizitën e Vulinit në Gjakovë e ka kundërshtuar edhe Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari- Lila.

Në një letër dërguar ministrit serb, ajo i ka sugjeruar Vulinit që të mos marrë udhë për në këtë komunë. Ajo ka thënë se Vulin mund të vijë në Gjakovë vetëm pasi serbia të kërkojë falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve.

Por vetë Vulin, këtë vizitë e ka quajtur si “inkurajim që serbët e Gjakovës të kthehen në shtëpitë e tyre”.

“Ne do të kthehemi, do të kthehemi aty ku kemi qenë, dhe do të jemi më të fortë pë rta bërë jetën në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Vulin.

“Vizita e gjakovarëve sot në këtë festë të madhe dhe të rëndësishme është porosia jonë se askush nuk mund ta legalizojë rezultatin e spastrimit etnik dhe se spastrimi etnik, sa I përket serbëve dhe Serbisë, kurrë nuk do të harrohet, dhe se do të punojmë që pasojat të shlyhen”, ka thënë Vulin.