Vizita e ‘rreptë’ mbretërore

Vetëm tetë ditë kanë mbetur deri në ardhjen në Kosovë të princit të Walesit, Charles, bashkë me bashkëshorten e tij, Camila, dukeshë e Cornwallit, raporton lajmi.net.

Lajme

10/03/2016 19:09

Pas 17 vjetësh kur ishin në Kosovë, vizita e tyre në Kosovë është planifikuar të realizohet në datat 18 dhe 19 mars.

Lajmi.net mëson se jo të gjithë do të kenë rastin të jenë afër princit dhe dukeshës, e aq më pak tu flasin atyre apo qoftë edhe t’i përshëndesin.

Kjo për faktin se protokolli i kësaj vizite i përpiluar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar  në Kosovë, bazuar edhe në rregullat strikte që ka Pallati Mbretëror, nuk lejon qasje të personave të paautorizuar dhe pa verifikuar në takime, por as në afërsi.

Madje për të ndjekur nga afër vizitën e princit Charles, nuk do të lejohen të jenë prezent të gjitha mediat kosovare apo të rajonit dhe as të gjithë gazetarët.

Lajmi.net mëson se ata që do të lejohen, duhet të ndjekin udhëzime strikte, qoftë edhe për një përshëndetje me princin e Walesit.

Që të jenë prezent në vizitën mbretërore, Ambasada Britanike para një jave u ka dërguar personave të caktuar, formularin përkatës të cilin duhet plotësuar.

Por kjo nuk do të thotë se ai që merr formular edhe do të akreditohet për të qenë afër çiftit mbretëror, pasi ambasada rezervon të drejtën e refuzimit të akreditimit.

Nga 1 marsi deri me 7 mars, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë i ka shpërndarë aplikacionet për mediat dhe personalitetet e përzgjedhura për akreditim.

Ky afat ka përfunduar të hënën me 7 mars në orën 12:00.

Ky është aplikacioni i dërguar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë që kërkohet për akreditim

Ky është aplikacioni i dërguar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë që kërkohet për akreditim

Për mediat, me aplikacionin që duhet plotësuar për t’u akredituar, duhet  pasur përveç fotografive, edhe numrin e  pasaportës apo atë personal, dhe të dhënat e tjera të personit të caktuar, përfshirë edhe detajet e tjera që ndërlidhen me median ku punon.

Princi i Wallesit  dhe Dukesha e Cornwellit do të vizitojnë Kroacinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën nga data 14 – 19 mars 2016.
Në Kosovë, agjenda e tyre përfshin një ceremoni ku do të vendosin kurora me lule për të pagjeturit e luftës në Kosovë pranë ndërtesës së Kuvendit, në Prishtinë.

Dukesha e Cornwallit dhe presidentja Jahjaga do të takohen edhe me të mbijetuarat e dhunës seksuale për të dëgjuar për sfidat me të cilat janë përballur ato në kërkim të drejtësisë, si dhe për punën e Këshillit Kombëtar udhëhequr nga presidentja.

Ky është udhëzimi i ambasadës rreth aoplikimit për akreditim

Ky është udhëzimi i ambasadës rreth aoplikimit për akreditim
Princi do të vizitojë edhe Prizrenin ku do të marrë pjesë në konferencën ndërfetare të organizuar në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës.

Po ashtu do të nderojë edhe personelin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të KFOR-it që humbën jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë me një ceremoni në selinë e KFOR-it.

Vizita parashikon edhe një vizitë të Dukeshës së Cornwellit në Fushë-Kosovë  me fokus te integrimi i grupet e margjinalizuara në shoqëri.

Princi vjen për herë të tetë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Kosovën e viziton për herë të parë që nga shtatori i vitit 1999./lajmi.net