Vizioni i kryeministrit për zhvillim ekonomik dhe teknologjik të Kosovës

Më 8 qershor, votuesit në Kosovë dolën në vendvotime. Ishin zgjedhjet e treta të përgjithshme në shtetin e dytë më të ri në botë, dhe Partia Demokratike e Kosovës e Kryeministrit në detyrë shënoi një fitore të ngushtë ndaj rivalit të saj, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Bisedimet mbi një koalicion qeverisës janë në vazhdim e sipër, por Thaçi pritet gjerësisht që të shërbejë për një mandate të tretë si kryeministër. 

Lajme

19/06/2014 14:36

Më 8 qershor, votuesit në Kosovë dolën në vendvotime. Ishin zgjedhjet e treta të përgjithshme në shtetin e dytë më të ri në botë, dhe Partia Demokratike e Kosovës e Kryeministrit në detyrë shënoi një fitore të ngushtë ndaj rivalit të saj, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Bisedimet mbi një koalicion qeverisës janë në vazhdim e sipër, por Thaçi pritet gjerësisht që të shërbejë për një mandate të tretë si kryeministër.

Thaçi shpreson të kalojë nga politika e mbijetesës – lufta për vet ekzistencën e Kosovës – në shtet-ndërtim.

Në shumë aspekte, kjo është një detyrë më e vështirë për një kryeministër autoriteti dhe besueshmëria e të cilit ishin farkëtuar në fushë-betejë.

Tani, ai duhet të përballet me pakënaqësitë e brendshme dhe të zbatojë një finesë politike.

Në intervistën e tij të parë paszgjedhore me shtypin ndërkombëtar, Thaçi shprehet se i mirëpret sfidat e reja dhe shpjegon se si vendi – të cilin disa e konsiderojnë si më të varfërinë në Evropë – shpreson të avancojë në fusha shkencore të ekonomisë e teknologjisë së lartë të shekullit 21.

Wired: Cilat janë objektivat kryesore të mandatit tuaj të tretë? Çfarë ka ndryshuar nga mandati juaj i mëparshëm që po ju jep optimizëm për një ekonomi të përmirësuar?
Thaçi: Objektivi ynë është krijimi i vendeve të reja të punës. Në 15 vitet e fundit ne e kemi bërë një luftë defanzive për të mbrojtur veten nga spastrimi etnik nga diktatori Sllobodan Millosheviq dhe regjimi i tij. Përfundimisht, ne e fituam lirinë tone, dhe pastaj punuam palodhshëm drejt shpalljes së pavarësisë sonë dhe filluam procesin e shtet-ndërtimit. Ne kemi investuar shumë në infrastrukturë duke përfshirë ndërtimin e autostradave dhe shkollave bashkëkohore. Ne gjithashtu duhej të normalizonim marrëdhëniet me ish-armikun tonë, Serbinë. Kam biseduar për më shumë se 250 orë me kryeministrin serb për të arritur një marrëveshje historike të lehtësuar nga përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, baronesha Ashton.

Sot, ne duhet të nisim diversifikimin e portofolit tonë të angazhimit ekonomik dhe të fillojmë me privatizimin e disa prej “xhevahirëve të familjes sonë” për të sjellë investime të huaja në fusha strategjike. Në sektorin e minierave ne e privatizuam një fabrikë nikeli, kurse Aeroporti i Prishtinës solli mbi 120 milionë euro investime. Çimento, kompanitë bujqësore, qendrat e skijimit dhe termocentralet janë fushat në të cilat ne jemi përqendruar në procesin e privatizimit.

Unë gjithashtu mëtoj t’i riatdhesoj deri në 1.5 miliardë euro të parave që Kosova i ka në banka të huaja që nga koha e administrimit të UNMIK-ut, të cilat u gjeneruan nga shitja e ish-ndërmarrjeve tona shoqërore. Këto para do të sigurojnë likuiditet për kompanitë kosovare që synojnë të rriten dhe të krijojnë vende të reja të punës, andaj misioni im i ri ka një fokus tëqartë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Për ta arritur këtë, ne do ta krijojmë një fond të punësimit i cili do të përbëhet nga 1.5 miliardë euro në shërbim të bizneseve të vogla, të mesme dhe të mëdha në mënyrë që kosovarët të mund të nisin biznese të reja apo t’i zgjerojnë bizneset e tyre për t’i krijuar deri në 200.000 vende të reja pune.

Wired: Si i shihni ju shkencën dhe teknologjinë ne kontekst të qeverisjes së Kosovës?
Thaçi: Ne kemi popullatën më të re në Evropë, e cila, krahas faktit që ne kemi një diasporë substanciale që përbën rreth 30% të të gjithë kosovarëve, nënkupton se ne jemi shumë të lidhur me botën përmes udhëtimeve dhe internetit. Planifikoj të siguroj burime për bizneset e reja në fushat e teknologjisë, do të heq TVSH-në për prodhimin e softuerëve vendas, dhe do të punoj edhe më shumë në modulet e e-qeverisjes. Ne po ashtu do të krijojmë një ministri që do ta ndihmojë Kosovën të tejkalojë hendekun digjital dhe do të përdorë burimin tonë të madh – të rinjtë, qytetarët tanë anglisht-folës dhe me shkathtësi në fushën e teknologjisë.

Wired: Si mund të parandaloni që qytetarët tuaj të shkojnë në vende të jashtme për të kërkuar mundësi të reja?
Thaçi: Largimi i trurit mund të shndërrohet në kthim të trurit nëse ne i krijojmë kushtet e duhura për kthimin e atyre kosovarëve që kanë shkuar jashtë vendit. Në qytetet si Dublini dhe Bangallor, banorët janë kthyer në atdheun e tyre në rastet kur u janë mundësuar lehtësime tatimore dhe masa të tjera për t’i stimuluar të kthehen në vendlindje me njohuritë e tyre të reja të fituar rishtas. Pra, masa të tilla sikur garantimi i sigurisë së investimeve dhe forcimi i transparencës së qeverisjes. Nuk e shoh asnjë problem në faktin që kosovarët arsimohen jashtë vendit, duke marrë kështu përvojë profesionale për t’u kthyer më pas në atdhe. Sfida është në mundësimin e kthimit të tyre, e jo për të ua parandaluar daljen nëpër botë.

Wired: Banka Botërore rishtas ka rënë dakord për të financuar një termocentral thëngjilli në Kosovë, pavarësisht politikës së saj të mosfinancimit të termocentraleve të thëngjillit. A mendoni se Kosova duhet të kualifikohet si një “përjashtim” nga ky parim?
Thaçi: Sigurisht se duhet. Kosova ka burime të mëdha të thëngjillit dhe ne kemi termocentrale shumë të vjetra të Gjermanisë Lindore. Ne duhet të mbyllim termocentralin më të vjetër “Kosova A” deri më 2017, që do të thotë se ne do të kemi një boshllëk të madh për të plotësuar me investime në termocentral të reja, bashkëkohore dhe të pastra – të mbështetura nga Banka Botërore. Serbia sapo njoftoi për një investim të madh kinez në prodhimin e thëngjillit, andaj dëshiroj të mundësoj prodhimin tonë vendor. Termocentrali ynë i mbështetur nga Banka Botërore është një projekt i vogël prej 600 megavatë, i cili është vetëm një dromcë e planeve të përgjithshme globale për termocentralet e reja të thëngjillit. Njëherit, ne po punojmë në diversifikimin e energjisë, ndërtimin e një hidrocentrali të ri. Ne gjithashtu kemi licenca për vazhdimin e projekteve të tjera të hidrocentraleve, të energjisë diellor dhe energjisë së erës.

Wired: Fuqitë ekonomike kryesore të Kosovës përbëhen nga industria nxjerrëse dhe bujqësia. Si planifikoni të lëvizni drejt një ekonomike më të bazuar në dije?
Thaçi: Fokusi duhet të jetë në arsimim, dhe ne kemi një qasje strategjike me tre hapa. Së pari, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar shkolla të stërvjetruara dhe të shkatërruara nga lufta; mbi 140 shkolla të reja janë ndërtuar gjatë mandatit tim. Së dyti, ne kemi rritur pagat e të gjithë mësuesve në shkallë prej mbi 100% në mënyrë që të krijojmë një fuqi punëtore të motivuar. Hapi i radhës është më i rëndësishmi – për të punuar në plan-programet mësimore dhe për të siguruar që fëmijët tanë të marrin përvoja në përputhje me tregun e punës dhe profilin tonë ekonomik.

Wired: Si mund të balanconi ndërmjet përfitimeve afatgjata të investimeve në arsimimin shkencor dhe çështjeve më akute të Kosovës në fushat e sigurisë dhe ekonomisë
Thaçi: Shkenca, arsimimi shkencor dhe inovacioni janë të rëndësishme, por këto fusha janë lënë pas për shkak të nevojave të tjera urgjente të shoqërisë së tranzicionit të pasluftës. Tani që ne po rrugëtojmë më hapa të sigurt drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne do të punojmë në joshjen e investimeve nga programet dhe fondet e BE-së që do të ndihmojnë inovacionin dhe shkencën. Unë do të duhet të bëj zgjedhje të vështira, por asnjë fushë nuk mund të mbetet e patrajtuar nëse ne duam të përparojmë dhe të zhvillojmë ekonominë tonë.

Më poshtë e keni linkun e intervistës së kryeministrit Thaçi.
http://www.wired.com/2014/06/nation-building-how-kosovos-prime-minister-hopes-to-develop-a-21st-century-economy/