Vitia është duke pritur që të kyçet në autostradën e Gërlicës

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se komuna të cilën ai e udhëheq është duke pritur që të lidhet ne autostradën e Gërlicës.

Lajme

23/05/2019 08:43

Ai këto komente i ka bërë në emisionin Sytë 7 në Klan Kosova duke shtuar se kyçja në autostradën në fjalë ka rëndësi të madhe për banorët e shtatë komunave pasi që rritet qarkullimi i njerëzve dhe mallrave.

“Komuna e Vitisë është ende duke pritur që të kyçet në autostradën e Gërlicës. Kjo është tepër e rëndësishme për ne sepse nëpërmjet saj bëhet kyçja e shtatë komunave. Pastaj rritet qarkullimi i mallrave dhe njerëzve që kalojnë nëpër këtë autostradë”.

“Qeveria e kaluar ka marrë vendim që Vitia të lidhet me autostradën në fjalë; mirëpo deri tani asgjë nuk është implementuar. Nga Qeveria e Haradinajt premtimet janë që të fillojnë punimet në muajin qershor të këtij viti. Na është thënë se puna do të kryhet nga kompania Bechtel Enka”.

“Mirëpo kjo nuk ka shumë rëndësi. Për ne relevantë është që të kryhet puna dhe kyçja të funksionalizohet sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm më Ferizajn por është kyçje edhe me Prishtinën dhe Shkupin”.

“Sa i përket lumit Morava ne kemi filluar që ta impementojmë memorandumin me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshin. Kujtojmë se ky lum ka shkaktuar përmbysje gjithandej dhe ka bërë dëme të mëdha ekonomike e materiale. Mirëpo tani jemi duke e rregulluar shtratin e këtij lumi”.

“Lumi Morava ka një gjatësi prej 21 kilometrash nga gryka. Unë kam menduar që deri në vitin e ardhshëm ta përfundojmë një pjesë të madhe të shtratit të lumit. Është paraparë që e tërë kjo të përfundojë për një periudhë trevjeçare”.