Viti i Ri fatal për tre persona në Danimarkë

Në Danimarkë raportohet se mjetet piroteknike kanë marrë jetën e tre personave. Që të tri viktimat kanë vdekur në dy raste të ndara, por të shkaktuara me veprime joadekuate më fishekzjarrë, në veri të këtij vendi. 

Bota

01/01/2015 17:11

Si raporton policia daneze, edhe dy persona të tjerë janë plagosur në këto aksidente me mjete piroteknike.

Policia ka hapur hetimet nëse këto dy aksidente me mjete piroteknike janë të ndërlidhura mes vete, pasi që të dyja kanë ndodhur në qarkun Mariager Fjord.

Në Napoli të Italisë, ndërkaq, një fëmijë 10-vjeçar ka marrë plagë të rënda dhe i kërcënohet humbja e shikimit nga shpërthimi i petardës derisa po kthehej bashkë me prindërit e tij nga pritja e Vitit të Ri, njofton agjencia italiane e lajmeve Ansa.

Napoli është qyteti italian ku u regjistruan më së shumti raste të lëndimeve nga festimi i fundvitit, por si thekson portali RAI News, për fat të mirë nuk pati raste të plagosjeve me pasoja fatale për jetën.

Në tërë Italinë janë regjistruar 251 raste të plagosjeve, nga të cilat dhjetëra me plagë të rënda. Sipas këtij portali, një numër kaq i madh të plagosurish të përkujton raportet nga zonat e luftës.