Viti 2021 ishte vit i politikave jokombëtare dhe i pseudoshkencës albanologjike

18:33 | 31 Dhjetor 2021

Në vitin 2021 u shfaq fantazma e Esat Pashë Toptanit me Pashiqin dhe e Enver Hoxhës me Titon, në një version më të modifikuar, por esencialisht të njëjtë. Prandaj në planin kombëtar kjo ngjarje, e emërtuar si Ballkani i Hapur, (Pashiqi e pati emërtuar Ballkani ballkanasve), do të mbetet njollë dhe me pasoja të rënda. Jo për mënyrën e reagimit nga Kosova, po për lehtësinë me të cilën Shqipëria e Edi Ramës e ka injoruar historinë e vet të hidhur me Serbinë e me Jugosllavinë

Shkruan: Milazim KRASNIQI

Malit i është bërë shprehi të më kërkojë një tekst për numrin festiv të gazetës Epoka e re dhe unë gjithnjë ia konfirmoj se do ta shkruaj, (me kësmet.) Përveç respektit për gjithë ekipin e këtij mediumi, gjithnjë e kam edhe shpresën ose iluzionin se Epoka e re do të rikthehet si gazetë ditore dhe do ta shpëtojë nga turpi tregun tonë medial, i cili sot për sot nuk e ka asnjë gazetë ditore. Epoka e re ka qenë ndër vite një gazetë e bujshme, optimiste, shprehje e triumfalizmit postçlirimtar, ose siç thuhej në prezantimin promocional televiziv, gazeta më e guximshme shqiptare. Pra, edhe pse po shkruaj prishaqejfas për një medie on lajn, po kam dëshirë ta ruaj iluzionin se po shkruaj për gazetë ditore.
Gjej rastin të them se po të ishin këta kapitalistët e rinj të vendit tonë të prerë me stof kombëtar, do të ishin donatorë bujarë të kësaj gazete, e cila ka dhënë dëshmi se është një bastion i shqiptarizmit. Fatkeqësisht, deri sot nuk ka funksionuar asgjë në atë drejtim, sepse ata japin para për emisione limonada e jo për medie me përmbajtje kombëtare. Sidoqoftë, ky tekst do të jetë në pajtim me sloganin, gazeta më e guximshme shqiptare, pra, duke e aktualizuar shqiptarësinë si problem gjatë vitit që mbaron, vitit 2021.
Shqiptarësia gjatë këtij viti ka marrë një krisje të fortë, me iniciativën Ballkani i Hapur. Me këtë iniciativë na ka ndodhur ajo që dikur nuk mund të na fanitej as edhe në ëndërr: një konfrontim i hapur ndërmjet politikës shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës. Qeveria Rama 3, ka avancuar shumë gjatë këtij viti në bashkëpunimin me Serbinë. Takimi i fundit për këtë vit u mbajt në Tiranë më 21 dhjetor dhe u mbyll me disa marrëveshje të çuditshme, për ata që kanë kujtesë kombëtare. Pra, krijimi i tregut të përbashkët ndërmjet Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, na kujton saktësisht marrëveshjen e Esat pashë Toptanit me Serbinë në vitin 1914, kur ai pati firmosur marrëveshje me disa elemente bukur të ngjashme. Edhe Toptani pati firmosur që të ndërtohej hekurudha deri në Durrës, por edhe bashkimi doganor i dy vendeve. Marrëveshjet e tashme në kuadër të Ballkanit të Hapur nuk kanë komponentën politike si marrëveshja ndërmjet Toptanit e Pashiqit, por komponenta ekonomike po shkon në të njëjtin drejtim. Sigurisht është e modifikuar, për realitetet e reja shtetërore (Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe nuk mund të luajë me sigurinë kolektive të NATO-s.) Për të qenë kjo linjë e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë edhe më absurde, po i kujtoj edhe marrëveshjet e Enver Hoxhës me regjimin komunist jugosllav, që ishin brenda këtyre linjave, edhe ato me synimin final bashkimin doganor ndërmjet dy shteteve. Pra, në vitin 2021, u shfaq fantazma e Esat Pashë Toptanit me Pashiqin dhe e Enver Hoxhës me Titon, në një version më të modifikuar, por esencialisht të njëjtë. Prandaj në planin kombëtar kjo ngjarje, e emërtuar si Ballkani i Hapur, (Pashiqi e pati emërtuar Ballkani ballkanasve), do të mbetet njollë dhe me pasoja të rënda. Jo për mënyrën e reagimit nga Kosova, po për lehtësinë e papërballueshme me të cilën Shqipëria e Edi Ramës e ka injoruar historinë e vet të hidhur me Serbinë e me Jugosllavinë. E ka injoruar brutalisht atë pretendim të hershëm serb e jugosllav për ta dominuar Shqipërinë, për të dalë në Durrës, për ta pushtuar ose copëtuar Shqipërinë. Kjo harresë është më e pafalshme se sa dëmi që i është bërë Kosovës me këtë iniciativë bizare.
E dyta, qeveria e Albin Kurtit gjatë mandatit të parë, po edhe të këtij që e ka në vijim, ka përkeqësuar pozitën kombëtare e ndërkombëtare të Kosovës. Krijimi me presion propagandistik e politik i rrethanave që kompania amerikane Contour Global të largohej nga Kosova, duke e lënë vetëm në letër projektin për termocentralin Kosova e re, ka krijuar jo vetëm keqkuptime me një kompani amerikane po edhe katastrofë energjetike në vend. Këtë fundviti Kosova është e shfytyruar, e shkallmuar nga katastrofa energjetike. Por qeveria Kurti 2 ka refuzuar edhe projektin tjetër amerikan, atë të gazsjellësit nga Maqedonia e Veriut. Kur ti shtohet kësaj politike të çuditshme edhe fakti se qeveritarët, madje edhe presidentja e vendit, shprehen kundër Marrëveshjes së Uashingtonit të shtatorit 2020, bëhet e qartë se linja e politikës shtetërore gjatë vitit 2021 esencialisht është antiamerikane. Jo e deklaruar, por e përmbaruar. Ka rrezik që pasojat e këtij kursi tinzar do të ashpërsohen në vitin 2022.
E treta, bota albanologjike gjatë vitit 2021 vetëm sa e ka thelluar mjerimin e vet. Mungesa e projekteve albanologjike në Shqipëri e në Kosovë, tashmë e ka sjellë margjinalizimin e albanologjisë dhe të albanologëve. Sot albanologjia nuk ka ndonjë ndikim më medimin kulturor, politik e kombëtar shqiptar. Këtë mendim e dizajnon/dhunon ndonjë piktor sharlatan, si Rama, ndonjë inxhinier, që aktron filozofin e antikës, si Kurti, ndonjë juriste mediokre si Vjosa Osmani dhe njerëz të organizatave joqeveritare e profiterë të ndryshëm.
Mjafton të shihet programi i Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, 24-28 nëntor 2021, për të kuptuar krizën dhe mjerimin e alabanologjisë (edhe) gjatë këtij viti. Me dhjetëra tema që janë trajtuar me dhjetëra herë, me dhjetëra tema krejtësisht të parëndësishme, me një prirje që studimi shkencor të paraqitet si një ndërmarrje kooperativiste, e zbulojnë paditurinë e drejtuesve të dy akademive të shkencave dhe të spektrit të tërë albanologjik, në Shqipëri e në Kosovë. Ja disa tituj temash për beter: Prokliza binare dhe enkliza shquese: dy anë të të njëjtit proces evolutiv tipologjik të gjuhës shqipem Mos ki merak, patriot, Kur nisi formësimi i teatrit (1920-1939), Mbi prirjet e normës fonetike të shqipes së sotme, Shpërfaqja e formave në poetikën eksplicite të Kadaresë, Ngarkesa funksionale e trajtave të shkurtra në gjuhën shqipe. Etj. Çka i flasin njeriut të sotëm shqiptar këso lloj temash? Çka i ofron njeriut të sotëm shqiptar, të rrëmbyer nga shtjella e globalizmit gllabërues, postmodernizmit dekontruktues, konsumerizmit të shfrenuar, hedonizmit pervers, krizës klinike të identitetit, amnezisë historike? Asgjë. Ama bash asgjë.
E katërta, viti 2021 ishte i rëndë shkaku i pandemisë. Askush nuk e ka ende të qartë se cilat janë pasojat e tashme dhe cilat janë pasojat afatgjate që do të stivojë pas vetes kjo pandemi, si në planin shëndetësor, moral po edhe në atë kombëtar. Jo vetëm që nuk e di askush, por askush nuk është duke kërkuar përgjigjet e mundshme, sepse nuk ka asnjë projekt shkencor në këtë drejtim. Projektet shkencore e pamë se në çfarë drejtimesh janë degëdisur. Edhe projektet ekonomike e politike me Ballkanin e Hapur dhe me antiamerikanizmin tinëzar, i pamë si po shpurdhin si larva. Prandaj viti 2021 ishte vit ters. Por, ka rrezik që do ta kërkojmë vitin 2021, ngase viti 2022 mund të jetë shumë më i rëndë. Problemet janë grumbulluar, ndërsa njeriut shqiptar në Kosovë e në Shqipëri i ka ardhur në majë të hundës, si politika jokombëtare, ashtu edhe pseudoshkenca albanologjike. Ka ardhur në pikën që ose do të rebelohet, ose do të shkombëtarizohet.
Në çdo fundviti, kur bëj një bilanc, më kujtohen tre vargjet e poetit italian Nelo Rizi: Veç një gjë/Ngule mirë në kokë:/ Mos harro! Ndoshta pikërisht pse jemi komb shumë harestarë, mua këto tre vargje nuk më shqiten nga mendja, si ftesë që të mbajmë mend, të mos harrojmë, sepse nëse harrojmë, nuk e dimë çka na ka ndodhë e ajo mund të na përsëritet. Jo vetëm në formën e pushtimit serb të Durrësit, po edhe në formën e atentatit ndaj Esat Pashës ose të vetëvrasjes së Naku Spirit. Thënë thjesht, dezertimi nga ideologjia dhe gjeopolitika kombëtare shqiptare, po edhe nga dija mirëfilli albanologjike, gjithmonë përfundon keq, më saktë përfundon tragjikisht. /Epoka e Re.