Viti 2018, viti ku Kosova e shkruajti historinë

Viti 2018 do të mbahet gjatë në mendjen e futbolldashësve kosovarë.

Sport

01/01/2019 11:57

Përfaqësuesja e Kosovës arriti të shkruaj historinë në vitin 2018, duke arritur ta kaloj fazën e grupeve në Ligën e Kombeve.

Kosova e filloi hapin historik në garën e krijuar nga UEFA më 7 shtator të këtij viti, duke barazuar pa gola me Azerbajxhanin në kuadër të Ligës D, Grupi 3, raporton “lami.net”.

Tri pikët e para për Kosovën në Ligën e Kombeve erdhën më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”, që ishte edhe ndeshja e parë në stadiumin që mban emrin e legjendës, ku djelmoshat tanë arritën t’i mposhtin Ishujt Faroe me rezultat, 2:0.

Përfaqësuesja jonë vazhdoi paraqitjen e mirë edhe ndaj Maltës, duke e mposhtur me rezultat, 3:1, më 11 tetor.

Ishujt Faroe na ndalën më 14 tetor me barazim në stadiumin e tyre, ku ndeshja përfundoi, 1:1.

Kosova arriti të shënoi fitore edhe më të thellë në përballjen e dytë në udhëtim te Malta më 17 nëntor, duke fituar me rezultat, 0:5.

Por, momenti më historik dhe që do të ngelet në mendjet tona është data e 20 nëntorit, ku në “Fadil Vokrri, Përfaqësuesja jonë e demoloi Azerbajxhanin, duke e mposhtur me rezultat, 4:0, shkruan “lajmi.net”.

Kosova arriti ta kalonte grupin me 14 pikë të arkëtuara, ndërsa u bë skuadra e vetme që nuk ka pësuar humbje në Ligën e Kombeve, ndërsa u promovua në Ligën C.

Kosova është ngritur për 46 pozita brenda një viti dhe aktualisht ndodhet e 131-ta, kjo duke iu falënderuar ecurisë mbresëlënëse në vitin 2018 në ndeshje miqësore e zyrtare, ku arriti të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve.

Duke pasur parasysh faktin se gjatë muajit dhjetor nuk ka pasur ndeshje të kombëtareve, pozita e Kosovës ka mbetur e pandryshuar me atë të muajit nëntor, kur përparoi për 6 vende.

“Dardanët” nuk kanë pësuar humbje që nga 13 nëntori i vitit 2017, kur Përfaqësuesja jonë nisi serinë pozitive me fitoren 4-3 kundër Letonisë në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ndeshje në të cilën kombëtaren e kishte drejtuar Muharrem Sahiti.

Ndërkohë, nga marsi i vitit 2018, drejtimin e ekipit kombëtar e ka marrë Bernard Challandes, nën drejtimin e të cilit Kosova ka regjistruar shtatë fitore dhe dy barazime.

Kosova në fazën e play-offit në Ligën e Kombeve do të përballet me Maqedoninë më 26 mars të vitit 2020, e që do të ketë një mundësi të mirë që të kualifikohet direkt në Kampionatin Evropian.

Nëse Përfaqësuesja jonë nuk arrin ta siguroj kualifikimin nga Liga e Kombeve, atëherë do të shpresoj që t’i shkojnë mbarë ndeshje në fazën e grupeve për kualifikimet në EURO 2020, ku do të luajë ndaj Anglisë, Republikës Çeke, Bulgarisë dhe Malit të Zi. /Lajmi.net/