Viti 2014 – vit i serbëve të Kosovës
Aleksandar Vulin thotë se Qeveria e Serbisë do të përkujdeset për serbët në Veri të Kosovës. Sipas tij, Prishtina nuk po e zbaton siç duhet Marrëveshjen e Brukselit.
Lajme
Ministri pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, i ngarkuar me çështjen e Kosovës, Aleksadar Vulin, ka thënë se viti 2014 do të jetë vit i stabilitetit politik, ekonomik dhe i prosperitetit për serbët e Kosovës.
Ai gjatë vizitës së sotme në Veri të Kosovës, ka thënë se institucionet serbe, do të përkujdesen për shtimin e vendeve të punës për serbët në Kosovë.
“Për këtë kemi nisur aksionin, mijëra vende pune nga një qershori. Viti 2014 do të jetë vit i stabilitetit politik, ekonomik dhe prosperiteti të serbëve në Kosovë”.
Vulin sot ka marrë pjesë në procesin e minimit të bregut të Buljanovcit, që gjendet prapa fshatit Jagnjenicë, në rrugën Mitrovicë – Zubin Potok, ku po zhvillohen punimet për instalimin e ujësjellësit rajonal.
“Presim që vitin e ardhshëm të mos kemi më probleme me furnizim të ujit, i cili është njëri nga problemet më të rëndësishme për jetën e përditshme”.
Gjatësia e këtij tuneli është 915 metra, ku përmes tij do të furnizohen me ujë dy komuna.
Ky zyrtar serbë thotë se Prishtina nuk po dëshiron të investojë Veri, por për këtë, do të përkujdeset Beogradi.
“Prishtina ka pritur që me Marrëveshjen e Brukselit do të fitojnë të drejtën e njëanshme për të marrë territore por pa njerëz. Kjo marrëveshje ka për qëllim përmirësimin jetës së serbëve në Kosovë, ndërsa ne do të jemi shumë kokëfortë në respektimin e kësaj marrëveshje”.