Vit ‘baksuz’

Për simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, ngjarja më mbresëlënëse e 2013's ka qenë rënia e Isa Mustafës dhe fitorja e Shpend Ahmetit. Kurse në aspektin kombëtar fitorja e Edi Ramës.

Lajme

31/12/2013 08:13

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, vitin 2013 e ka quajtur vit “baksuz”.

 

Sipas tij, gjatë këtij viti qytetarët e shtetit të Kosovës janë stërmbushur me mashtrime e zhgënjime.

 

“Qytetarët janë stërmbushur me zhgënjime e me mashtrime”, ka thënë Demaçi në intervistën për “Epokën e re”.

 

Por, Demaçi ka thënë se populli shqiptar është populli më optimist në botë.

 

“Mund të krenohemi që jemi populli më optimist në botë. Vetëm shpresa ka qenë ajo që nuk u ka humbur asnjëherë shqiptarëve”.

 

“E mira më e madhe është se, pavarësisht asaj se shumë të drejta po na i marrin një nga një, shpresën nuk po na marrin dot. Shpresa po na thotë se një ditë do të bëhet mirë”.

 

Ai ka vlerësuar se Kosovën gjatë këtyre 12 muajve e kanë karakterizuar një serë ngjarjesh të këqija, të cilat nuk ka dashur t’i përmendë për të mos e prishur atmosferën e festës së Viti të Ri.

 

“Ato janë aq të shumta saqë po t’i numëroja do të na prishej me themel atmosfera e pritjes së Vitit të Ri 2014” .

 

Për simbolin e rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, ngjarja më mbresëlënëse e 2013’s ka qenë rënia e Isa Mustafës dhe fitorja e Shpend Ahmetit. Kurse në aspektin kombëtar fitorja e Edi Ramës.

 

“Në planin global, ngjitja mahnitëse e gjithëmbarshme ekonomike, shkencore, teknike e teknologjike e popullit mik kinez; në planin kombëtar, fitorja bindëse e Edi Ramës në zgjedhjet e qershorit në Shqipëri dhe në planin e treçerek Kosovës, rënia e papritur e z. Isa Mustafës në komunën e Prishtinës dhe fitorja e papritur e Shpend Ahmetit të VV-së, si dhe koncerti i mrekullueshëm i orkestrës frymore të FSK-së nën dirigjimin brilant të dirigjentit Baki Jashari me rastin e përcjelljes së vitit ‘baksuz’ 2013”.