Visari komenton pak punët e PDK’së

Visar Ymeri thotë se krijimi i “Nismës për Kosovën” është pozitiv për vendin, sepse dëmton partinë në pushtet. Kështu, deputeti i Vetëvendosjes ka dashur të përzihet pak në punët e brendshme të PDK'së, me analizat e tij.

Lajme

03/03/2014 14:00

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka zgjedhur të flasë të hënën, pas takimit të Kryesisë së Kuvendit, për zhvillimin e fundit politik në vend, krijimin e “Nismës për Kosovën”.

Ai e ka cilësuar “Nismën” të dobishme për vendin, pasi që, sipas tij, ajo e dëmton partinë në pushtet, Partinë Demokratike të Kosovës.

“Është një gjë shumë e mirë që ka dalë kjo ‘Nismë’, vetëm për dëmin që ia ka shkaktuar partisë aktuale që e ka pushtetin, pra PDK’së”.

“Ky dëm është në të mirën e Kosovës, për shkak se e dobëson një subjekt, i cili deri më tani i ka shkaktuar shumë të këqija Kosovës, duke qenë në pushtet me udhëheqjen e vet që e ka”.

Visar Ymeri gjithashtu ka folur rreth zërave për një koalicion të mundshëm me subjektin e ri të Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit. Megjithëse, ende nuk e ka parë  programin  e kësaj “Nisme”, ai thotë se duhet të plotësohen kriteret që kërkon partia e tij.

“Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë disa herë cilat janë kriteret që ne insistojmë të plotësohen, para se të flasim për çfarëdo marrëveshje bashkëpunimi koalicioni me ndonjë subjekt tjetër.”

“Janë dy më të rëndësishmet prej tyre, përputhja programore dhe besimi i ndërsjelltë me subjektin dhe me udhëheqjen e atij subjekti”.

“Konsiderojmë që edhe me këtë subjektin e ri ‘Nismën’, vlen i njëjti parim. Ne ende nuk e kemi parë se çfarë programi e kanë, për çka angazhohen si subjekt politik”.