Visar Ymeri thotë se Mustafa po vjellë vrer ndaj opozitës

22:56 | 14 Shkurt 2016

Lideri i Levizjes Vetevendosje, Visar Ymeri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visa Ymeri, ka komentuar në facebook, një status të kryeministrit Isa Mustafa.

Ymeri ka thënë se kryeministri e ka hapur llogarinë në rrjetin social, vetëm për të vjellë vrer ndaj opozitës.

Lexoni statusin e plot të Ymerit:

Isa Mustafa si duket e çeli llogarinë e tij në facebook vetëm për të vjellë vrer ndaj opozitës.

Kryeministrit impotent ndaj Serbisë dhe diktator ndaj popullit të vet nuk i mjafton përdorimi i dhunës ekstreme policore kundër protestuesve dhe opozitës, që kulmoi në një skandal të paprecedent, siç ishte thyerja e zyrës së subjektit më të madh opozitar, me njësite speciale të armatosura rëndë. Ai që i dërgoi policët e armatosur të shtypnin një subjekt që kurrë nuk ka prekur armë gjatë aktivitetit të vet politik, është njeriu më i interesuar për thellimin e konfliktit në vend. Këtë e tregojnë edhe fjalët e tij.

Isa Mustafa i cili bashkë me partinë e vet ka qejf të vetëquhet institucionalist dhe opozitën ta quajë anarkiste, në fakt është shkelësi më i madh i ligjit në Kosovë. Ai ka nënshkruar me vetëdije të plotë një marrëveshje që bie në kundërshtim me Kushtetutën, jo një herë por 23 herë. Kudo në botën demokratike një gjest i tillë do të dënohej me burg. Ndërsa Isa Mustafa sillet si autokrat, dhe nuk jep as dorëheqjen. Çfarë institucionalisti mund të jetë ai që shkel kushtetutën e tij dhe nuk i bëhet vonë për këtë gjë?

Isa Mustafa ka qejf të flasë dhe për antikorrupsion e për drejtësi. A ju kujtohet se si akuzonte dikur SHIK-un për kapje shteti e për vrasje politike. E sot SHIK-u i shkruan fjalimet e Mustafës, madje ia shkruan edhe statuset në facebook.

E kur Isa Mustafa thotë se ne nuk e respektojmë policinë, ai nuk guxon t’i përmendë se si i kanë pushuar këto ditë nga puna policët vetëm pse kanë gjobitur një ministër. As nuk guxon të përmendë policët e burgosur pse kanë arrestuar kriminelë serbë. As nuk guxon të përmendë se si familjarët e shokëve të Isës i rrahin policët me shpulla e nuk i gjen asgjë. Ky është respekti i Isës dhe shokëve të tij qeveritarë për policinë e Kosovës?!

Ne do të bëhemi vend me demokraci e drejtësi, me sovranitet e zhvillim. Isa, Hashimi e Kadriu e duan këtë vend të jetë autoritar, ku qeveritarët preferojnë të shkatërrojnë gjithçka por pushtetin nuk e lëshojnë kurrë.