Visar Ymeri: Koalicioni 100% do ta themelojë Fondin Zhvillimor

Visar Ymeri nga PSD ka thënë se koalicioni AAK-PSD është koalicion i programeve dhe ideve.

Lajme

11/09/2019 19:48

“Nuk jemi sikur koalicionet dhe partitë tjera të emrave të përveçëm”, ka thënë Ymeri gjatë prezantimit të programit qeverisës të tyre, njofton Klan Kosova.

“Programi ynë ka një fokus të vetëm – qytetarin. Kur flasim për qytetarin ne flasim për shoqërinë. Ne mendojmë që Kosova është në një fazë të re. Duhet ta zhvendosim Kosovën në stad të dytë, të zhvillimit që të bëhet 100% shtet edhe brenda edhe jashtë”, ka thënë Ymeri, njofton Klan Kosova.

“Koalicioni 100% do ta themelojë Fondin Zhvillimor që do të jetë në dispozicion të bizneseve dhe ndërmarrjeve. Ky fond do të jetë në dispozicion të ndërmarrësve dhe do të sigurojë qasje për kapital në këto ndërmarrje. Do të investojë në sektorët strategjikë si bujqësia, minierat… Do të investojë në krijimin e vendeve të punës.

“Fondi do të jetë entitet i pavarur. Për ta rritur efikasitetin do të jetë i lidhur me Agjencinë për Zhvillim. Dizajni energjetik i programit tonë bazohet në katër kritere: Qëndrueshmëria, efiçienca, qasja në energji dhe interesi ekonomik”.

Ymeri në fund ka thënë se në qeverinë e re do të punojnë shumë për fuqizimin e organizatave të punëtorëve.