Villa: Atletico i ka për obligim fitoret

Sulmuesi i Atletico Madridit, David Villa thotë se skuadra e tij e ka për obligim ta fitojë çdo takim, pas fitores 2:0 ndaj Celta Vigos. Ish futbollisti i Barcelonës e udhëhoqi ekipin e Diego Simeones në krye të La Ligas, pasi realizoi dy gola në Galicia, ndërsa klubi kryeqytetas spanjoll e shfrytëzoi gabimin e Barcelonës…

Sport

09/03/2014 08:45

Sulmuesi i Atletico Madridit, David Villa thotë se skuadra e tij e ka për obligim ta fitojë çdo takim, pas fitores 2:0 ndaj Celta Vigos.

Ish futbollisti i Barcelonës e udhëhoqi ekipin e Diego Simeones në krye të La Ligas, pasi realizoi dy gola në Galicia, ndërsa klubi kryeqytetas spanjoll e shfrytëzoi gabimin e Barcelonës në Valladolid, për ta kaluar atë në renditje.

Përfaqësuesi spanjoll i ka motivuar bashkëlojtarët të vazhdojnë me rezultate pozitive, derisa ata po e kërkojnë titullin e kampionit në Spanjë.

“Ne duhet ta vazhdojmë me kësi lloj tre pikësh. Çdo pikë është e rëndësishme dhe ne duhet të shkojmë kështu javë pas jave. E kemi obligim t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”, deklaroi Villa për të përditshmen spanjolle AS.

“Ne i shfrytëzuam rastet tona. Jam i nderuar që e ndihmova ekipin duke shënuar dhe duke punuar në fushë”, ka shtuar sulmuesi spanjoll, i cili e zëvendësoi për mrekulli sulmuesin kryesor, Diego Costa, që mungoi për shkak të suspendimit.

Villan e ka lavdëruar tej mase trajneri Simeone. “Villa jeton për golat. Ne na nevojitet eksperienca dhe golat e tij. Ai është specialist i golit. Shpresoj të vazhdojë me këtë ritëm”, është shprehur trajneri argjentinas pas ndeshjes.

Atletico Madrid do të mundohet ta vazhdojë serinë e mirë të rezultateve të martën mbrëma, kur do ta presë Milanin në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales së Ligën e Kampionëve, pas fitores 1:0 në ndeshjen e parë.