​Viktor Orban bllokon sanksionet ndaj Rusisë

Hungaria bllokoi sërish rinovimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, duke kërkuar në minutën e fundit që Ukraina të rihap tubacionet e saj të gazit dhe të lejojë rrjedhjen e gazit rus në Evropë. “Tani që çështja e zgjatjes së sanksioneve është në rendin e ditës, unë kam tërhequr frenat e dorës dhe u…

Bota

25/01/2025 23:27

Hungaria bllokoi sërish rinovimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, duke kërkuar në minutën e fundit që Ukraina të rihap tubacionet e saj të gazit dhe të lejojë rrjedhjen e gazit rus në Evropë.

“Tani që çështja e zgjatjes së sanksioneve është në rendin e ditës, unë kam tërhequr frenat e dorës dhe u kam bërë thirrje liderëve evropianë të kuptojnë se kjo nuk është më kështu”, tha kryeministri Viktor Orban në një intervistë për Radion shtetërore Kossuth, duke shtuar se Hungaria nuk mund të përballojë një barrë kaq të rëndë sanksionesh.

Deklaratat e Orban erdhën pak përpara një takimi të zyrtarëve evropianë në Bruksel, ku ata kërkuan të ri-miratojnë një paketë gjithëpërfshirëse të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, e cila përfshin kufizime të rënda tregtare dhe ngrirjen e pothuajse 200 miliardë eurove të aseteve shtetërore ruse. Të gjitha vendet anëtare të BE-së duhet të zgjasin njëzëri këto sanksione çdo gjashtë muaj.

Kryeministri hungarez shprehet i pakënaqur me ndërprerjen e marrëveshjes mes Moskës dhe Kievit që mundësoi rrjedhjen e lirë të gazit rus drejt Evropës.

Orban dhe kryeministri sllovak Robert Fico paralajmërojnë se humbja e këtyre furnizimeve do të ndikojë në çmimet e energjisë dhe sigurinë e furnizimit në vendet e tyre.

Ukraina refuzon kategorikisht të rinovojë marrëveshjen, ndërsa BE-ja pretendon se Hungaria dhe Sllovakia mund të gjejnë lehtësisht burime alternative të karburantit.

Ky ndryshim në retorikën e Orban vjen pasi ai më parë ka mbrojtur që BE-ja duhet të presë dhe të shohë se si Donald Trump i qaset sanksioneve kundër Rusisë përpara se të marrë vendimin e tij. Megjithatë, ky argument humbi fuqinë në fillim të kësaj jave kur Trump kërcënoi Putin me sanksione shtesë.

Tre diplomatë evropianë të njohur me negociatat e sanksioneve thonë se presin që Orban përfundimisht të lejojë zgjatjen e sanksioneve, ndoshta që të hënën, kur ministrat e jashtëm të takohen në Bruksel. Autoritetet evropiane kanë afat deri të premten e ardhshme për të arritur një marrëveshje.

Një i dërguar i BE-së, i cili kërkoi anonimitetin për të folur lirshëm për negociatat me dyer të mbyllura, parashikon se sanksionet do të zgjaten të hënën pavarësisht rezervave të Orban të shprehura gjatë takimeve përgatitore.

Agjenda e së hënës tregon se Hungaria ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Diplomatët po e interpretojnë këtë si një shenjë pozitive – një tregues që Orban ende nuk i ka udhëzuar zyrtarët e tij që të vënë veton ndaj rinovimit të sanksioneve.

“Hungaria shpesh sillet shumë transaksionale. A do të kërkojnë diçka që lidhet me energjinë? Aktualisht nuk ka kërkesa konkrete në tryezë. Ne nuk kemi dëgjuar asgjë nga ekipi i Orban në Bruksel që kur Trump u inaugurua,” tha një tjetër diplomat.

Kryediplomati polak Radosław Sikorski në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ka shprehur shpresën se BE jo vetëm do të miratojë zgjatjen e sanksioneve, por edhe të miratojë masa të reja shtesë ndaj Rusisë.