Viktima të reja në lindje të Ukrainës

Së paku gjashtë civilë dhe dy ushtarë ukrainas janë vrarë gjatë luftimeve të ashpra që janë zhvilluar gjatë së shtunës në lindje të Ukrainës.

 

Bota

01/02/2015 12:02

Zyrtarët qeveritarë dhe rebelët kanë njoftuar se tre civilë janë vrarë dhe një është plagosur rëndë si rezultat i granatimit të shtëpisë së tyre në Luhansk, transmeton REL.

Dy ushtarakë ukrainas janë vrarë nga raketa e hedhur prej separatistëve në qytetin Schastya, që gjendet 20 kilometra larg Luhanskut.

Një zëdhënës i rebelëve pro-rusë ka thënë se tre civilë janë vrarë dhe 19 janë plagosur, gjatë luftimeve të 24 orëve të fundit në republikën e vetëshpallur të Donjeckut.

Një reporter i agjencisë AFP, në qytetin Makiiva i cili kufizohet me Donjeckun, ka thënë se tri ndërtesa janë përfshirë nga zjarri pas gjuajtjes me mortaja.

Një grua në vend të ngjarjes ka thënë se gjyshja e saj është vrarë dhe gjyshi është plagosur pasi granatat kanë goditur shtëpinë e tyre.

Raportet për viktima të reja vijnë pasi të shtunën ka dështuar mbajtja e një takimi në Minsk, i cili kishte për qëllim arritjen e paqes .

Më shumë se 5,100 viktima janë raportuar që nga fillimi i konfliktit në prill të vitit të kaluar.